Agjentët e anti-drogës në Shtetet e Bashkuarra deklarojnë se 225 persona janë arrestuar në një operacion masiv ndërkombëtar kundër drogave sintetike.
Rreth 500 kg drogë janë sekuestruar vetëm në Shtetet e Bashkuara, kanë deklaruar zyrtarë të administratës së anti-drogës, DEA.
Arrestimet janë kryer në Amerikë, Australi, Kanada, Barbados dhe Panama, kanë saktësuar burimet zyrtare, të cituara nga mediat ndërkombëtare.
Lëndët narkotike u shiteshin kryesisht adoleshentëve dhe të rinjve me emra si “K2” dhe “Vanilla Sky”, deklaroi shefi i operacioneve të DEA-s, James Capra.
“Problemi qëndron në faktin se këto droga po shpërndahen tek pjesa më e cënueshme të shoqërisë sonë”, deklaroi Capra.
Drogat sintetike prodhohen në laboratorë klandestinë dhe shiten në paketa me ngjyra, të cilat sipas autoriteteve kanë si qëllim tërheqjen e konsumatorëve në moshë të re.
Operacioni i koduar me emrin “Synergy” nisi në Shtetet e Bashkuara në dhjetor të vitit 2012, duke vënë në shënjestër organizatat kriminale që prodhonin dhe trafikonin narkotikët.
Lëndët në fjalë shpesh herë shpërndahen si barëra mjekësore, bashkë me kimikate që imitojnë efektet e kanabisit dhe që mund të tymosen.
“Miliona dollarët e gjeneruar nga prodhimi ilegal dhe shitja e këtyre drogave po sponsorizojnë grupet terroriste në Lindjen e Mesme”, deklaroi oficeri James Capra.
Top Channel