Presidenti egjiptian Mohammed Morsi ka paralajmëruar se vazhdimi i trazirave rrezikon të paralizojë vendin. Në një fjalim të mbajtur me rastin e 1-vjetorit të marrjes së detyrës, Morsi u shpreh i vetëdijshëm për disa gabime të bëra dhe për këtë u ofroi kundërshtarëve mundësinë për të bërë propozime në amendimin e kushtetutës së re.
Por nga ana tjetër presidenti akuzoi ata që sipas tij po komplotojnë kundër tij, se po përpiqen të “sabotojnë” demokracinë. Trupa ushtarake janë vendosur në qytete në mbarë vendin përpara protestës së planifikuar për në fundjavë, për të kërkuar largimin e presidentit.
Në prag të fjalimit të zotit Morsi, përleshje të dhunshme shpërthyen në qytetin verior të Mansurës. Dy persona u vranë dhe 170 u plagosën në një betejë mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të qeverisë.
Zoti Morsi, një anëtar i Vllazërisë Myslimane u bë presidenti i parë islamik i Egjiptit më 30 qershor 2012, pasi fitoi zgjedhjet e konsideruara të lira e të ndershme. Viti i tij i parë në detyrë është shoqëruar nga trazira të shumta politike dhe një ekonomi në rënie.
Në fjalimin televiziv që zgjati rreth dy orë, Morsi mbrojti punën e tij, duke pranuar disa gabime por edhe duke premtuar reforma të menjëhershme e radikale për t’i riparuar ato.
“Unë kisha të drejtë në disa raste dhe e kisha gabim në disa të tjera. Gjatë një viti në detyrë kuptova se, që revolucioni të arrijë qëllimet e tij duhen reforma radikale”, deklaroi Morsi.
Top Channel