Afrikano-Jugorët kanë ndezur qirinj jashtë spitalit, ku ikona e luftës kundër aparteidit, Nelson Mandela, kaloi natën e së mërkurës, teksa një zyrtar informoi në detaje mbi kushtet e tij, ndërkohë që raportohet se ish-presidenti është në limitet e jetës së tij.
I konsideruar si babai themelues i demokracisë multi-raciale të Afrikës së Jugut, 94-vjeçari Mandela është shtruar që prej 8 qershorit, për shkak të një infeksioni në mushkëri. Autoritetet e kanë përshkruar gjendjen e tij si kritike, që prej së dielës së kaluar, ndërsa presidenti aktual, Jacob Zuma, tha se gjendja e tij ka mbetur e pandryshuar gjatë së mërkurës.
Pasi vizitoi Mandelën, mbrëmjen e djeshme, Zuma anuloi vizitën e tij gjatë ditës së enjte për në Mozambik, ku ai pritej të merrte pjesë në një samit për investime në infrastrukturë, njoftoi uebsajti zyrtar i Presidencës.
Zëdhënësi i qeverisë afrikano-jugore, Mac Maharaj, tha për CNN se zyrtarët e kanë të pamundur të komentojnë ndaj raporteve se Mandela është në limitet e jetës së tij, duke cituar rregullat konfidenciale mes doktorëve dhe pacientëve.
Në një deklaratë të lëshuar të martën vonë, qeveria tha se doktorët e Mandela-s “vazhdojnë të bëjnë më të mirën, për të siguruar rikuperimin e tij, në mënyrë që të jetë i qëndrueshëm dhe i rehatshëm”.
Ndërkohë që kombi mbetet në gatishmëri, policia ka vendosur barrikada në rrugët që të drejtojnë te hyrja e spitalit. Shumë njerëz qëndrojnë ende të mbledhur pranë tij, duke kënduar “Ku është Mandela?”.
Top Channel