Ministrat e Financave të Bashkimit Europian kanë rënë dakord mbi një plan se si të shpëtojnë bankat e trazuara, pa lënë taksapaguesit të përballojnë faturën.
Marrëveshja u arrit në orët e para të mëngjesit të së enjtes, pas një tjetër sesioni bisedimesh të gjata mes 27 vendeve anëtare të BE-së.
Kjo shihet si një hap i rëndësishëm përpara drejt synimit të BE-së për t’i futur bankat e saj në një terren të qetë, pas krizave shokuese të kreditimit dhe të eurozonës.
Rregullat përcaktojnë se kush do t’i mbajë humbjet, kur një bankë përfshihet në probleme.
Në të ardhmen, taksapaguesit do të jenë mes atyre të fundit, që do t’u faturohen humbjet, teksa bankat dhe kreditorët apo aksionerët e tyre do të goditen të parët.
Pas kësaj, kursimtarët e zakonshëm me depozita mbi 100 mijë euro do të jenë përsonat e tjerë, që do të përballojnë humbjet.
Nëse kjo nuk rezulton e mjaftueshme, qeveritë kombëtare do të thirren për t’i ofruar mbështetje.
Më vonë, gjatë së enjtes, 27 krerët e qeverive të anëtarëve të BE-së do të mbajnë një samit për të parë politikat financiare rajonale dhe ekonomike.
Fokusi i tyre do të jetë më i madh ndaj problemit të papunësisë mes të rinjve, e cila është në nivele alarmante prej mbi 50%, në vendet më të goditura të BE-së.
Top Channel