Ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rice, e konsideroi një dëm të madh për reputacionin e Këshillit të Sigurimit, pamundësinë e tij për të vepruar në Siri, në fjalimin e saj përshëndetës.
Rice lë postin këtë javë, për t’u vendosur në krye të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, një ndër posteve më të rëndësishme të administratës amerikane, që e shndërron diplomaten në një prej bashkëpunëtoreve më të ngushta të presidentit Obama.
Megjithatë, përpara se të largohej, Rice nënvizoi zhgënjimin e saj nga pamundësia e KS-së për të ndërhyrë në luftën civile siriane, duke imponuar sanksione që do të kishin kontribuar, sipas saj, në afrimin e paqes në vend.
Rice gjithashtu kritikoi Rusinë dhe Kinën për qëndrimin e tyre bllokues, me vetot e përsëritura të vendosura kundër rezolutave ndëshkuese ndaj presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad.
Detyra e rëndësishme e ambasadores së përhershme amerikane pranë OKB-së do t’i kalojë tashmë Samantha Power, një ish-fituese e çmimit më prestigjioz në gazetari “Pulitzer” dhe ish-këshilltare e Shtëpisë së Bardhë.
Power duhet të konfirmohet në pozicionin e saj të ri prej Senatit Amerikan.
Top Channel