Berisha pret rezultatin përfundimtar

26/06/2013 00:00

Kryeministri Sali Berisha, tashmë i humburi i zgjedhjeve paralamentare, edhe pse ende jo zyrtarisht, ka vizituar zyrën e Presidentit të Republikës i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Nuk ka asnjë informacion zyrtar as nga zyra e kryeministrit dhe as nga ajo e presidentit se cili ka qenë qëllimi i kësaj vizite.

Ka aludime për një diskutim të mundshëm të një dorëheqjeje morale të kryeministrit, i cili pas kësaj do të jetë vetëm në detyrë, pa patur të drejtën e marrjes së vendimeve në kabinetin qeveritar.

Megjithatë në selinë e Partisë Demokratike ka vetëm heshtje, dhe nuk ka ende asnjë lëvizje për të treguar hapat që do të ndërmarrë zoti Berisha si kryeministër, por edhe si kryetar i Partisë Demokratike.

Gjatë mbrëmjes së martë u prit një dalje e tij publike, por me sa duket Berisha po pret rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dhe pritet që ditën e sotme të dalë para medias, dalje e cila do të jetë e para që pas të dielës, kur ishte para gazetarëve pak para mbylljes së procesit të votimit.

Top Channel