
Kevin Rudd rrëzoi kryeministren australiane Julia Gillard nga posti i kryetares së Partisë Laburiste. Ish-kreu i ekzekutivit e fitoi me 57 vota pro betejën për lidership, kundrejt 45 votave që mundi të siguronte Gillard.
Lufta brenda llojit u zhvillua përpara zgjedhjeve të përgjithshme të paracaktuara të mbahen në muajin shtator, ku sondazhet parashikojnë humbje për laburistët.
Rudd është më popullor sesa Gillard në mesin e votuesve dhe shumë besojnë se Partia Laburiste do të dalë më mirë në zgjedhje nëse do të jetë nën drejtimin e tij.
Kjo është përballja më e fundit e një beteje të gjatë mes dy politikanëve dhe mund të jetë e fundit pasi zonja Gillard ka deklaruar se do të largohet nga politika.
“Nuk do ta rikontestoj elektoratin federal në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Gillard, kryeministrja e parë femër e Australisë.
“Ajo për të cilën jam e absolutisht e sigurt nga kjo është se tani do të jetë më e lehtë për gratë të bëjnë karrierë në politikë”, është shprehur kryeministrja në ikje.
Ndërsa Rudd, pavarësisht rivalitetit të ashpër, ka vlerësuar parardhësen e tij duke e vlerësuar si një grua me një inteligjencë të jashtëzakonshme, të fortë dhe plot energji.
“Julia, së fundmi si kryeministre dhe më parë si zëvendëskryeministre, ka mësuar shumë nga rrethanat e vështira në të cilat është ndodhur qeveria në minorancë”, ka thënë ai.
Ndërkohë, lideri i opozitës, Tony Abbott i ka bërë thirrje zotit Rudd që të caktojë datën e zgjedhjeve, duke argumentuar se ajo duhet të jetë më herët se 14 shtatori, datë kjo e caktuar nga zonja Gillard.
Top Channel