Dy shpërthime të fuqishme janë dëgjuar njëri pas tjetrit mëngjesin e sotëm në Dukagjin. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se shpërthimi i parë ka ndodhur në komunën Shalë, në kanalin që furnizon HEC-in e Ndërlisës, ndërsa pak minuta më vonë një sasi eksplozivi ka dëmtuar urën që lidh aksin Theth-Qafë-Tërthorë.

“Paraprakisht mësohet se si pasojë e shpërthimit është dëmtuar rreth 1 metër ura mbajtëse e kanalit të ujit dhe aktualisht është jashtë funksioni ky hidrocentral duke lënë pa energji komunën Shalë, Shosh dhe Pult. Ndërsa nga shpërthimi në urën e fshatit Theth, është dëmtuar një pjesë e kësaj ure, duke penguar përkohësisht qarkullimin. Dëmtime në njerëz nuk ka”, njoftoi policia e Shkodrës.

Momentalisht mbeten ende të panjohur autorët e ngjarjes, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Mësohet se kalimi për në komunën e Shalës po bëhet përmes rrugës dytësore, ndërsa po punohet për të riparuar dëmtimet, si dhe për normalizimin e situatës në HEC-in e Ndërlisës. Shpërthimet kanë ndodhur në kohën që po shpërndahen materialet zgjedhore, për zgjedhjet e së dielës.

“Me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor nga ana jonë është marrë kontakt me organet përkatëse për riparimin e dëmeve të evidentuara, nga të cilat është premtuar riparimi i tyre në një hark kohor prej 6 orësh”, tha policia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB