
Të dhënat zyrtare tregojnë se ekonomia po përballet me një rënie të
shpejtë të investimeve. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, vitin e
kaluar investimet totale në ekonominë shqiptare të kryera nga privatët
dhe Qeveria zbritën në 24 për qind e prodhimit kombëtar.
Kjo është norma më e ulët që nga viti 2000, ku investimet janë luhatur nga 28 deri në 30 për qind e prodhimit kombëtar. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se pjesa më e madhe e kësaj rënie vjen nga investimet e qeverisë, të cilat nga 10 për qind e prodhimit kombëtar në 2008-n, vitin e kaluar u tkurrën në 4.5 për qind.
Përkeqësimi i treguesve të buxhetit dhe rritja e borxhit i ka ngushtuar fort hapsirat për investime publike në ekonomi. Madje në pesë muajt e parë të këtij viti, Qeveria nuk po financon dot nga paratë e veta as shpenzimet korrente për mbajtjen e administratës në këmbë. Por nuk është vetëm Qeveria ajo që po i tkurr investimet.
Shifrat tregojnë se edhe sektori privat po ndjek të njëtën tendencë. Sipas Fondit Monetar, vitin e kaluar investimet private ranë në 19.1 për qind e Prodhimit Kombëtar, gati 1.1 pikë përqindje më pak se sa viti 2009. Gjendja e vështirë e ekonomisë dhe rënia e konsumit e ka dekurajuar biznesin për të kryer investime të reja, si për kompanitë vendase ashtu edhe për ato të huaja.
Investimet janë burimi kryesor i punësimit dhe rritjes ekonomike. Rënia e tyre me ritme të shpejta, përvecse e ka tkurrur rritjen ekonomike në shifrat më të ulëta historike zbeh shpresat edhe për krijimin e vendeve të reja të punës, përtej premtimeve që vijnë në fushatë nga politikanët.
Top Channel