
Nga Kavaja, Bamir Topi u bëri thirrje qytetarëve që më 23 qershor të mos
bëhen fanatikë të partive të vjetra, që siç u shpreh ai, kanë 23 vite
që zhgënjejnë shqiptarët.
“Shqipëria ka nevojë të ndërtojë një Parlament solid, ku qytetarët të ndjehen të përfaqësuar dhe jo të zhgënjyer”, tha Topi.
Ndërsa nga Burreli kryetari i FRD-së akuzoi Kryeministrin Berisha për papërgjegjshmëri ndaj qytetarëve të Burrelit.
“Ju siguroj që 23 qershori është një ditë vendimtare për të hequr atë lloj qelbi, që i është ngjitur në mënyrë të pamerituar shoqërisë shqiptare”, tha Topi.
Shijak, Mediu prezanton Dukën
Fatmir Mediu ka vijuar fushatën elektorale në qytetin Shijakut, ku prezantoi kandidatin për deputet të Partisë Republikane, Agron Duka. Mediu u kërkoi qytetarëve të Shijakut të votojnë për të çuar në Parlament përfaqësuesin e tyre.
“Partia Socialiste kërkoi ta linte Shijakun pa deputet, por Shijaku duhet t’i japë Kuvendit të Shqipërisë, socialistëve të Shijakut dhe të gjithë banorëve të Shijakut, deputetin e vet, Agron Dukën”, tha Mediu.
Idrizi mbyll fushatën në Fier
Shpëtim Idrizi përmbylli fushatën elektorale në Fier, prej nga u bëri thirrje qytetarëve që më 23 qershor të votojnë Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ndërsa më 19 qershor të marshojnë të gjithë së bashku drejt Qafë-Botës.
“Për herë të parë pas 70 vjetësh ne do të kemi një varrezë monumentale për 2900 shqiptarë të Çamërisë, të cilët u vranë, u masakruan, u përzunë nga trojet e tyre, vetëm sepse ishin shqiptarë dhe kishin besimin tek Zoti”, tha Idrizi.
Skënder Gjinushi në Vlorë
Nga Vlora Skënder Gjinushi shprehu bindje në fitoren e së majtës më 23 qershor, por kërkoi votën e qytetarëve për Partinë Social Demokrate, si aleatja më e besueshme e Partisë Socialiste.
“Një mandat do ta marrin aleatët në Vlorë. Një mandat do të marrë aleati i vërtetë dhe jo aleati i rremë, pra ta marrë PSD-ja dhe jo ndonjë parti, e cila sot është me ty, nesër shkon me ndonjë tjetër”, tha Gjinushi.
PDS, takime në Sukth
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo ishte në Sukth, prej nga u kërkoi qytetarëve të votojnë PDS si një investim për demokracinë dhe progresin e Shqipërisë.
“Ne duhet të bëjmë çmos që ditën e diel ta vulosim përfundimisht fitoren që të mos ketë dyshime në rrugët e ardhshme të qeverisjes tonë. Investimi ditën e diel për PSD është investim për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, tha Milo.
Halimi me arsimtarët
Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në Durrës, Eduart Halimi zhvilloi një takim me arsimtarë të këtij qyteti.
Gjatë këtij takimi Halimi tha se Partia Demokratike ka gjithnjë në fokusin e saj mirëqënien e nxënësve dhe mësueseve, duke krijuar kushtet për përmirësimin e cilësisë së arsimit. “Partia jonë ka në fokus arsimin”, deklaroi Halimi.
PD, takim me ish-të përndjekurit
Kryebashkiaku Lulzim Basha dhe kandidati për deputet i PD, njëherësh ministër i Kulturës, Visar Zhiti zhvilluan një takim me përfaqësues të ish-të përndjekurve politikë.
Zoti Zhiti, i cili vjen nga kjo shtresë, shprehu bindjen se ish-të përndjekurit dhe të gjithë shqiptarët do të ecin përpara dhe nuk do të kthehen në kohën e persekutimeve.
“Nuk do të vijë më ajo kohë, por do të vazhdojë ëndrra e të gjithë neve”, deklaroi Zhiti. “Nuk do ketë demokraci pa historinë tuaj”, tha nga ana tjetër Basha.
FRD: PD na hoqi banerin
Pak orë para mitingut përmbyllës elektoral që kryeministri i vendit Sali Berisha do të zhvillonte në qytetin e Korçës u hoq baneri i kreut të FRD, Bamir Topi, i cili ishte vendosur në murin e parë të teatrit “Andon Zako Çajupi”.
Sipas të dhënave nga FRD, dyshohet se posteri është hequr mesditën e sotme për shkak të mitingut të PD. Kryesuesi i listëts së FRD, Alfred Cako e ka konsideruar këët akt një sulm të përsëritur të PD ndaj kësaj partie.
“Sot erdhi Berisha këtu dhe tha se kam fobi nga FRD dhe gjithë aktivitetet e tij më shumë merren me ne se sa me PS-në, me të cilën bashkëpunoi për Kodin Zgjedhor”, tha Cako.
Top Channel