
Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se sistemi bankar në vend është i varur fort nga një numër i vogël subjektesh.
Sipas raportit të mbikëqyrjes për vitin e kaluar, 10 subjektet kredimarrës më të mëdhenj në vend zotërojnë aktualisht 10.2 për qind të totalit të kredisë që është dhënë nga gjithë sistemi bankar.
E përkthyer në shifër rezulton se këto dhjetë kompani kanë aktualisht 56.5 miliardë lekë borxh ndaj sistemit bankar, ose 565 milionë dollarë.
Nëse numri zgjerohet në 100 kredimarrësit më të mëdhenj, pesha e tyre ndaj totalit shkon në 32.1 për qind, ose në vlerë kjo do të thotë se këto 100 biznese i kanë sistemit bankar 1.84 miliardë dollarë borxh.
Pesha e lartë e këtyre kredimarrësve në tregun financiar i bën ata me rëndësi kritike për sistemin financiar, pasi vështirësitë e tyre financiare do të kishin impakte të mëdha në bilancet e bankave.
Sipas Bankës së Shqipërisë, aktualisht këto subjekte kanë një protofol kredi më të rregullt se mesatarja kombëtare.
Të dhënat tregojnë se për dhjetë huamarrësit më të mëdhenj, raporti i kredive të këqija është 11.7 për qind, gati dy herë më i ulët se mesatarja e tregut, edhe pse krahasuar me një vit më parë shifra është përkeqësuar me 3.5 pikë përqindje.
Top Channel