
Bamir Topi zhvilloi një takim me banorë të komunes Zall-Herr të Tiranës,
gjatë të cilit u ndal tek keqmenaxhimi që shteti i ka bërë kësaj zone.
“Ne jemi një forcë që dëshirojmë të shkojmë në atë vendimmarrje në Parlament, të shkojmë për shtetin, të bëjmë një përfaqësim real të njerëzve dhe jo përfaqësim të interesave të kryetarëve. Kanë 6 muaj që dalin çdo ditë dhe vetëm kanë gënjyer”, tha Topi.
Kur mbeten edhe pak ditë nga zgjedhjet e 23 qershorit, Topi u bëri apel qytetarëve që cdo votë e tyre të kthehet në përfaqësim dinjitoz në Parlamentin e ardhshëm.
“Unë do të doja t’i drejtohesha banorëve të Zall-Herrit që të japin mbështetje për FRD-në”, tha Topi.
Mediu, takime ne Domje
Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu zhvilloi një miting elektoral në kryeqytet, ku prezantoi kandidatin për deputet Ylli Shehu dhe u kërkoi qytetarëve të votojnë PR-në për një të ardhme më të mirë.
“Lirinë dhe jetën na e fali Zoti dhe asnjë politikan. Votoni për Partinë Republikane, numrin 45, votoni për besimin në Zot, për dashurinë për familjen, për respektin e pronës, për dashurinë dhe respektin për Shqipërinë dhe kombin shqiptar”, tha Mediu
Idrizi: Lehtësi biznesit të vogël
Shpëtim Idrizi zhvilloi takime në tregun çam në qendër të Tiranës, ku u premtoi tregtarëve angazhimin e PDIU-së për heqjen e barrës fiskale ndaj bizneseve të vogla. Më pas kryetari i PDIU-së mori pjesë në përvjetorin e themelimit të degës së Shoqatës “Çamëria” në Durrës.
“Keni 23 vjet që votoni majtas-djathtas. E kemi parë që vetëm me djemtë tuaj ne mund ta cojmë kauzën tonë përpara”, tha Idrizi.
Ruçi: Do të ulim kostot në bujqësi
Në komunat Cakran dhe Levan të qarkut të Fierit, kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, Gramoz Ruci shprehu angazhimin për uljen e kostove të prodhimeve bujqësore.
“Cmimet e plugimit, të korrjes do të ulen 35 për qind, duke ulur cmimin e naftës për fermerët në bujqësi brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, 35 për qind më të lirë litrin e naftës, se sa ai që e merr për makinën e tij”, tha Ruçi.
Bode: PS bllokoi investimet
Ridvan Bode ishte në komunën Buçimas prej nga akuzoi opozitën se nuk ka votuar investimet që janë në interes të qytetarëve.
Kreu i listës së demokratëve për Korçën u ndal më pas në Ersekë, ku njoftoi përfundimin e tenderit për ndërtimin e rrugës Korçë – Ersekë.
“Këto investime të mëdha që prekin thelbin e interesave tona në Pogradec dhe në Korçë nuk i votoi Edi Rama, sepse për ta cdo e mirë e qytetarëve është dëm i tyre”, tha Bode.
Milo: Tuneli eshte elektoral
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo ishte në Elbasan prej nga e quajti përurimin e tunelit të Elbasanit, përurim për qëllime elektorale.
“ai tunel që u hap është thjesht dhe vetëm në shërbim të qëllimeve elejktorale të Berishës dhe të PD-së. Berisha të mos na krekoset me gërshërët e gjata që mban në xhep sepse ne do t’ia presim me gërshërën e popullit të drejtën e qeverisur këtë vend në 23 qershor”, tha Milo.
Kandidati i PDIU-së në Patos
Kandidati për deputet i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet Omer Mamo zhvilloi një bashkëbisedim me bashkëqytetarë të tij në Patos, prej nga u kërkoi që më 23 qershor të votojnë PDIU-në.
“Emri im dhe tek çamët dhe tek jo çamët, tek të gjithë komunitetet e ndryshme është quajtur dhe quhet Omer Çami. Unë e kam për nder që jam çam”, tha Mamo.
Top Channel