Top Story, uniteti i së majtës para dhe pas zgjedhjeve

18/06/2013 00:00

Kemi hyrë në ditët e fundit të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 23 qershorit, e të gjitha palët janë në matjen e fundit të forcave dhe entuziasmit të tyre. Natyrisht që bëhen edhe premtimet e fundit, por pas kaq vitesh bëhen edhe bilancet e kësaj fushate.

Një fushatë që për të majtën ka pasur një risi nga e shkuara e ndasisë në gjirin e saj, rikthimi i Metës dhe LSI, e sigurisht edhe i skepticizmit që fshihet pas këtij “shansi të artë” të opozitës për të ardhur në pushtet.

Natyrisht, dilema është përforcuar nga disa zhvillime, nëse kjo e majtë po shkon e bashkuar në këto zgjedhje dhe se sa realisht do të shfaqë problemet e të shkuarës edhe nëse do të fitojë.

Për të diskutuar mbi të majtën, shanset e saj për të fituar dhe dilemat e qeverisjes në rast të kësaj fitoreje të mundshme, në “Top-Story; Shqipëria Vendos”, Sokol Balla ftoi tre përfaqësues të koalicionit për “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, Skënder Gjinushi, kryetar i Partisë Social Demokrate, Paskal Milo, kryetar i Partisë Demokracia Sociale dhe Ardit Çela, kandidat për deputet në Tiranë i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Përballë tyre u vendosën tre analistë të mirënjohur, Artan Hoxha, kryeredaktori i revistës “Java”, Skënder Minxhori dhe editorialisti i gazetës “MAPO”, Arjan Vasjari.

I pyetur për cilësinë dhe karakteristikat e kësaj fushate, Skënder Gjinushi pa një avantazh të rëndësishëm të së majtës, por foli i zhgënjyer për cilësinë që ka arritur fushata në tërësinë e saj. “Kjo fushatë dihet që nuk garanton standartet zgjedhore, pasi me këtë qeveri nuk diskutohet që standartet nuk mund të realizohen, as për administratën, as për median”, tha Gjinushi.

”Administrimi i zgjedhjeve tregon qartë se vullneti politik nuk ka ndryshuar, por ka një klimë relativisht më të butë, për arsyen e thjeshtë sepse shumica dërrmuese e ka të qartë që fiton e majta dhe edhe të djathtët janë pajtuar me këtë humbje. Nuk ka reaksione të forta me gjithë ekstremizimin që transmeton Berisha. Natyrisht, prognozoa shkon mirë për të majtën sepse flitet për një fitore të qartë, prej 6-7% sipas sondazheve të fundit, por edhe më thellë në mendimin tim”, shtoi kryetari i PSD-së.

Vetëm një ditë më parë, të hënën, një sondazh i “IPR Marketing”, një kompanie të specializuar italiane, nxirrte koalicionin e majtë fitues, me 51% të votave përballë 45% të koalicionit të djathtë.

Megjithatë, në pozicionin e analistit dhe vëzhguesit të këtyre zgjedhjeve, Hoxha nuk ka ndonjë besim të madh në saktësinë e të dhënave të sondazheve. “Kurioziteti nga  sondazhet më ka ikur prej gati dy muajsh, pasi të gjithë kanë pikëpyetje nga mbrapa dhe edhe sondazhet nuk i shkëputen instrumentalizimit politik. Ndaj nuk më interesojnë sondazhet e po shikoj të dhëna të tjera për të bërë një vlerësim se ku do të shkojmë. Nga ana tjetër, rritja e marzhit të gabimit në sondazhe favorizohet nga fakti që publiku nuk është edhe aq i mësuar për të lexuar dhe pranuar zhvillime sondazhesh dhe këto instrumenta shkencorë, duke u keqpërdorur për propagandë, synojnë të manipulojnë mendjen e atyre personave që besojnë verbërisht në ëtë shkencë. Sondazhet janë shndërruar praktikisht në të njëjtën gjë si debatet, spotet apo informacionet elektorale, që përhapen fillimisht si thashetheme”, nënvizoi Hoxha.

Duke u bashkuar me mendimin e Hoxhës, për faktin se sondazhet në Shqipëri janë shpesh të pasakta, Gjinushi gjithsesi theksoi se tendenca që ata tregojnë është e njëjtë dhe domethënëse. “Sondazhet kanë pasur përvojë negative në Shqipëri, pasi edhe në vitin 1996 është pararendur me sondazhet vjedhja e zgjedhjeve dhe “exit-poll” i orës 1 ka qenë paralajmërim për atë që do të ndodhe dhe ndodhi. Si “exit-poll” i 2009-s ka qenë një skandal dhe kur kjo bëhet me firma të njohura, kuptohet ç’bëjnë të tjerat shqiptare. Firmat që bëjnë serioze janë serioze, por sondazhet bëhen me shqiptarë dhe këtu ekziston frika për të shprehur opinionin për vendin e punës, ndaj thonë do të votoj PD-në. Duke pasur këtë frikë, sondazhet në çdo rast dalin më të larta për partinë në pushtet, Partinë Demokratike dhe ne edhe me këtë frikë, përsëri jemi 6-7% përpara”, replikoi Gjinushi.

Në mendimin e Vasjarit, “në sondazh është një e dhënë, në gjykimin tim, shumë delikate sepse nxirrte përqindjen e votuesve të pavendosur të 23 qershorit në 12%. Ky është një marzh i madh, që mund të bëjë realisht ndryshimin në ditën e zgjedhjeve dhe njëkohësisht është një fluks që i lejon këtyre kompanive të sondazheve, të justifikohen duke thënë se çdo gabim në përllogaritjet e tyre, vjen si rrjedhojë e këtyre të pavendosurve që kanë ndryshuar mendim në ditën e fundit”.

Sipas përfaqësuesit të LSI-së, rezultati i vërtetë është edhe më i thellë në favor të së majtës nga sa shprehin sondazhet e veçanërisht, më i thellë për forcën politike që ai përfaqëson. ”Sondazhi që ne bëjmë është me qytetarët në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe ajo që ndërmarrim me ata është larg realitetit. 23 qershori do të tregojnë shumë mirë se kush është sondazhi i vërtetë, rezultati i vërtetë, e sot jemi shumë larg atij realiteti. E majta dhe ne jemi më mirë se këto që pasqyrojnë sondazhet, sidomos rezultatii LSI-së që është me shifra dyshifrore e këtë jua garantoj”, deklaroi Çela.

I pyetur për mendimin e tij për rezultatin e parashikuar prej Lëvizjes Socialiste për Integrim, Milo komentoi: “Pa dyshim që LSI-së i jep avantazh qënia në aleancë me koalicionin tonë, me Partinë Socialiste. Them me koalicionin tonë, pa dyshim, sepse sapo kanë ardhur, por nuk e paragjykoj ardhjen, madje më bëhet qejfi dhe do të më bëhet qejfi të fitojmë së bashku”.

Në parashtrimin e argumentimit të tij, kryetari i PDS-së shtoi: “Patjetër që LSI avantazhohet nga qënia në koalicionin tonë sepse do të kishte shumë kosto nëse do të bashkohej me PD-në ose po të dilte e vetme, a pjesë e një koalicioni të vogël, përsëri do të ishte një sanduiç mes partive të mëdha dhe kjo do ta dëmtonte. Ndonëse nuk i ka shpëtuar konsumit të qeverisë, duke u radhitur potencialisht partia e dytë më e votuar e koalicionit, LSI të ndihmohet me funksionimin e sistemit që favorizon partinë e dytë në koalicion për shkak të mbetjeve që do të marrë nga partia e parë dhe të tjerët, e këto janë favoret që i jep koalicioni. Të tjerat i di vetë LSI, unë nuk mund të gjykoj fushatën e tyre dhe rezultatin”.

Në një replikë të kandidatit të LSI për deputet në Tiranë, Çela vlerësoi se “ardhja e LSI në koalicion është mundësi e madhe për fitoren e koalicionit dhe jo vetëm për LSI-në, pasi ne nuk vijmë vetëm, por vijmë me 120 mijë vota dhe qënia në koalicion ndihmon koalicionin që të fitojë ndaj rivalit që ka përballë e ky është qëllimi ynë i përbashkët”.

Për Milon, “mesa duket, është bërë llogaria (nënkupton PS) se me LSI jashtë koalicionit, fitorja nuk do të ishte e sigurt dhe tani është e garantuar”. Megjithatë, ai shtoi: “Pa dyshim që aleanca është ndërtuar me bazat e interesit reciprok, mes PS e LSI, pasi ne nuk u pyetëm. Në këtyë rast ne jemi spektaktorë që gjykojmë nga jashtë dhe bëjmë analizë duke pasur parasysh interesat dypalëshe. Dhe unë shoh një tendencë, unë nuk kam besim në këtë inflacion parashikimesh që bëhen, por tendencën e shoh me përvojën time politike dhe ajo është që opozita fiton zgjedhjet, por se cili do të jetë marzhi i diferencës mes koalicioneve mbetet për t’u diskutuar”.

Duke marrë bazën mbi të dhënat e sondazheve që qarkullojnë, e kryesisht ai i “IPR Marketing” që flet për një thellim të diferencës në favor të së majtë snë muajin e fundit, Minxhozi komentoi: “Berisha nuk ka pasur më startin e muajit të fundit që e ka pasur në të gjitha fushatat përgjithësisht, kur në fund ngrinte zërin, mobilizonte bazën dhe rriste përqindjen e mbështetjes. Është e vërtetë që sondazhet nuk kanë qenë të shumta dhe vetëm dy TV janë angazhuar, por është e vërtetë gjithashtu që tendenca ka qenë e njëjtë dhe bashkohem me Gjinushin, që sondazhet telefonike sjellin një marzh gabimi në dëm të opozitës, pasi ka një frikë të ndjeshme në shoqëri për atë mund të fshihet pas telefonatës, edhe nëse thua që je një kompani e huaj”.

Kryetari i PDS-së, Paskal Milo risolli në vëmendje bisedimet e ethshme për aleanca e koalicionet zgjedhore që nisën me hyrjen e vitit elektoral dhe u përshkallëzuan me afrimin e datës përfundimtare të regjistrimit të koalicioneve në KQZ: “Kemi propozuar që në ndryshimet e Kodit Zgjedhor të mundësohej krijimi i aleancave më të vogla brenda një aleance të madhe. Kemi biseduar edhe me LSI për krijimin e polit të tretë, por PDS do të vendosej mes dy zjarreve nga kjo aleancë dhe ju e dini mbase me vetë nismën e PS-së”.

Ndërsa kryetari i PSD, Gjinushi pranoi që ka patur bisedime për krijimin e polit të tretë, por tha se është marrë përsipër edhe faktori i carjes së votës: “Krijimi i polit duhej bërë më vete, por ulja më vete ka atë pyetjen e madhe që mund të cojë në carje vote. Bisedat kanë qenë edhe për të shkrirë parti, por nuk është kjo arsyeja që nuk u krijua poli i tretë”.

Milo dhe Gjinushi i ndalën më pas tek programi i partive respektive duke i vlerësuar ato për kontributin e tyre modest në jetën politike shqiptare: “Kemi një histori shumë-vjecare që ka prodhuar disa rezultate të prekshme. Nuk mund t’i mohoni rezultatet e PDS në këto 10 vite, përsa kohë ajo votohet dhe nëse nuk do kishte vjedhje votash rezultati do të ishte ndryshe, madje me frikë them se as këto zgjedhje nuk do jenë të ndershme. Thelbi i PDS është aspekti social, politikat sociale pa marrë në konsideratë cështjet e tjera programore” tha zoti Milo

“Partitë e majta dallojnë mes njëra-tjetrës nga qendrimet, jo nga programi. E djathta që vjen nga qeverisja 8-vjecare është një katasterfoë, ndërsa e majta vjen me një program”, tha Gjinushi.  

Përfaqësuesi i LSI-së, Ardit Çela vlerësoi se kontributin e forcës së tij politike në bashkëqeverisje me PD, por edhe vendime të tjera të marra para dhe pas pjesëmarrjes në qeveri. Ai tha se LSI është një forcë politike që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në realizimin e disa reformave dhe për këtë solli si shembull miratimin e 3 ligjeve: “LSI është dëmtuar shumë nga kodi zgjedhor dhe megjithatë  ka bërë më shumë në realizimin e disa reformave, që me miratimin e 3 ligjeve. Morali më i madh politik është fitorja e së majtës në këto zgjedhje dhe maksimizimi i peshës politike i cdo partie politike në këto zgjedhje. Ky është morali më i madhe sot për sot. Ne jemi në këtë koalicion që të fitojë koalicioni dhe kontributi i LSI-së është i jashtëzakonshëm. Rezultati është ai që tregon se sa vlen një forcë politike, morali është fitore e së majtës”.

Gjinushi vazhdoi: Morali politik ka shumë rëndësi sepse me votë popullore fiton e majta dhe pushtetin e merr e djathta. Bashkimi i LSI-së me koalicionin e majtë ngjalli reagim majtas, ndërsa rikthimi i PDK-së në të djathtë nuk pati asgjë,. Andej janë mbledhur të gjithë pa parime, pa moral vetëm për hir të fitores.

Ndërsa për kreun e PDS-së, Milo: Duhet të shqetësohemi dhe të bëjmë një proces të ndershëm dhe transparent të numërimit të votave në mënyrë që këto zgjedhje të mos cënohen nga vjedhja e votës së tjetrit.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta