“PBDNJ, përcaktuese në tre qarqe”

18/06/2013 20:15

Në një lidhje direkte në edicionin qëndror të lajmeve në “Top-Channel”, kryetari i PBDNJ-së foli për pritshmëritë e forcës së tij politike dhe atë të koalicionit të majtë në tërësi, ndërsa premtoi se do të qëndrojë një aleat i Partisë Socialiste, pavarësisht rezultatit që do të nxjerrin këto zgjedhje.

Ilir Paço, gazetar “TCH” – Në ditët e fundit të kësaj fushate zgjedhore, cilat janë pritshmëritë e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në këto zgjedhje?

Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ – Ne vijmë në përmbylljen e një fushate intensive. Pritshmëritë e PBDNJ janë të qarta, pasi synojmë të marrim mandate në tre qarqe, Korçë, Vlorë e Gjirokastër dhe synojmë thellim të rezultatit të koalicionit e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” në Gjirokastër në 4-1, 8-4 në Vlorë e synojmë thyerjen e barazimit të Korçës, në 7-5 në favor të së majtës.

Ilir Paço – Një eksponent i lartë i minoritetit grek, zoti Vasil Bollano, ka premtuar rikthimi e pensioneve greke për ish-përfituesit e tyre, në rast të një fitoreje të koalicionit tuaj. A është ky një premtim elektoral, kur dihet që kjo është një kompetencë eksluzive e qeverisë greke?

Vangjel Dule – Sigurisht që është një kompetencë e qeverisë greke dhe premtimi më i fundit është se në tetor, në diskutimin e buxhetit për 2014-n, qeveria greke ka një predispozitë për të hapur një fond të caktuar për pensionet e të gjithë atyre që e përfitonin deri në mars, kur këto pagesa u eliminuan për shkak të shkurtimeve në kuadrin e reformave për shëndoshjen ekonomike e financiare.

Ilir Paço – A ka pasur një thirrje për unifikimin e faktorit grek në një lëvizje të vetme?

Vangjel Dule – Është një fakt se konkurrojnë dy parti që përfaqësojnë minoritetin, por e rëndësishmja është se shumica dërrmuese është e bashkuar rreth PBDNJ-së dhe si asnjëherë më parë, përqindjet tona do të jenë më të larta. Do të ishte më i pëlqyeshëm unifikimi i faktorit, por në demokraci janë vetë zhvillimet e procesit demokratik që sjellin këtë unifikim dhe në rezultatet e 23 qershorit do të shihet që s’ka vend për një formacion tjetër veç “Omonia”-s dhe “PBDNJ”-së.

Ilir Paço – Zoti Dule, a do të qëndrojë PBDNJ në koalicionin e majtë, edhe nëse rezultati i zgjedhjeve do t’iu përballë me një mandat të ri në opozitë dhe cilat do të jenë pretendimet tuaja në rast të një fitoreje?

Vangjel Dule
– Nuk mund të na bëhet një pyetje e tillë, pasi e kemi provuar që edhe në 2009, edhe pse zgjedhjet i fituam dhe i grabitën, qëndruam në opozitë besnikë të platformës sonë me alternativa e opozitare konseguente, ndaj do të qëndrojmë ku jemi me garanci se këtë herë s’do të jemi vetëm fitues, por vota do të jetë plebishitare.

Top Channel