
Ndërsa fushata elektorale futet në javën e saj të fundit, Rudina Xhunga rezervoi një përballje interesante midis dy kampeve në takimin e fundit të “Shqip”, përpara zgjedhjeve të 23 qershorit.
E ndërsa maratona zgjedhore në “Top-Channel” vazhdon në ditët në vazhdim me “Top-Story, Shqipëria Vendos 2013”, këtë të hënë u ulën në krahët e ndryshme të tryezës deputeti socialist, Erion Braçe, lideri i Partisë Demokratike Socialiste, Paskal Milo e nga e djathta Dashamir Shehi, kandidati për deputet i LZHK-së, në listat e PD-së dhe Arjan Madhi, sekretar i Përgjithshëm i Partisë Republikane.
Duke u përpjekur që të ndikojë sadopak jo në orientimin e votës, por për të ndërgjegjësuar votuesit për nevojën e votimit sa më të shumtë, “Shqip”-i nisi me pyetjen mbi nivelin dhe tiparet e kësaj fushate zgjedhore.
“Gjuha e ashpër ka qenë gjithmonë dhe këtë herë shoh që fushata është përmirësuar në këtë aspekt. Këtë vit kemi një element të mirë, këto trekëndeshat e bisedës që kanë shërbyer për të formuar një atmosferë tjetër elektorale. Për disa aspekte kjo fushatë më pëlqen, ky element i debatit më të artikuluar e ka ngritur disi cilësinë, duke vendosur kandidaët në një përgjegjësi, madje edhe Berishën e Ramën për të dhënë përgjigje mbi disa çështje specifike. Sigurisht që ka edhe gjëra negative, si pretendimi i vazhdueshëm tek ky shpenzim i kotë me flamuj e postera, që nuk qe i tillë as për 100-vjetorin e pavarësisë”, nisi debatin në studio zoti Shehi.
Në këndvështrimin e Braçes, “kjo fushatë ka një ndryshim, por jo në mënyrën se si kryeministri Berisha po e udhëheheq atë. Si gjithmonë, zoti Berisha realizon fushatën me akuza të drejtëpërdrejta dhe thyerje të rëndë të etikës. Ndërsa Rama operon me batutën disa herë, Berisha po hyn si gjithmonë në krevatin dhe shtëpinë e të tjerëve, për martesat, gratë, shijet, zvarranikët, e flet për lloj lloj gjërash të tilla. Kjo e ka nxjerrë edhe jashtë profilit të një burri në një moshë të shtyrë”.
I pyetur nëse e vlerëson etike nënvizimin e vazhdueshëm të moshës së kryeministrit nga ana e Partisë Socialiste, Braçe shtoi: “Patjetër që është etike të kujtosh moshën në raport me funksionin që mban dhe pamundësinë për ta ushtruar më atë moshë. Ju kujtoj se ai është i vetmi kryeministër sot në Europë në atë moshë. Raporti me detyrën dhe moshën më duket një pyetje që shtrohet natyrshëm, sidomos kur ka një gjeneratë të re të pjekur, që ka fituar përvojë dhe që është e gatshme të fillojë të qeverisë vendin, sidomos në kushtet kur ky kryeministër, në të tillë moshë po merr vendime shumë të rëndësishme jo vetëm për gjeneratën time, por edhe për atë të fëmijës sim, përfshirë kontratat koncesionare që përcaktojnë të ardhmen tonë edhe për 20 vitet e ardhshme, e të gjithë ata që duan të ndërtojnë familje apo që lindin brenda kësaj periudhe”, argumentoi Braçe.
“Unë shpresoj që ky emision do të na japë mundësinë që të debatojmë tema të ndryshme, për të qenë korrekt mbi atë që se si e vlerësojmë këtë fushatë. Ajo që unë vlerësoj, jo për replikë, por në shërbim të kësaj tryeze, të fillosh të diskutosh për fushatën duke nisur nga mosha, është një varfëri e argumentit. Nuk e di se me cilin rast e shtet, referenca vjen për shkak të moshës, sepse shpesh artikulohet në fushatë me emërtime si katragjysha e stërgjysha, ndaj nuk do të ishte mirë të flasim për moshë, pasi kjo është e papërshtatshme”, u kundërpërgjigj përfaqësuesi i Partisë Republikane, Arjan Madhi.
“Sa i takon gjykimit tim për fushatën, për aq eksperiencë sa kam dhe ju siguroj që nuk kam pak, mendoj se është fushata që ka tërësisht tipare të ndryshme nga të tjerat. E ndarë në dy pjesë, me pjesën më të madhe të kohës që e ka marrë diskutimi për të evidentuar të gjitha problematikat e ofruar zgjidhjet e tyre. Pjesa e dytë, sigurisht që kemi hyrë tashmë në një fushatë që e kryeson sllogani, që vjen edhe me metafora e shndërrohet edhe në thirrje emocionale, pasi tashmë gjykoj se dialogu ka përfunduar, me qeverinë dhe opozitën që kanë dhënë shpjegime të detajuara tashmë për qëndrimet e katër viteve të tyre të fundit”, shtoi Madhi.
Në një replikë të shkurtër, Braçe vendosi një paralele me debate të ngjashme për moshën që janë mbajtur jashtë Shqipërisë. “Kur ngrita shqetësimin për atë që ka të bëjë me moshën është një shqetësim i ngritur në të gjithë Europën dhe jo më larg se në zgjedhjet italiane, përpara disa muajsh, për moshën e Berlusconit ka pasur një debat shumë të madh, sepse i përkiste një gjenerate të vjetër që nuk ka asgjë të përbashkët me gjeneratat e reja dhe ky është shqetësimi për të cilin po flas”, tha Braçe.
“Ka moshë mendore, fizike, e diellore. Njeriu nuk gjykohet nga mosha, por nga produktiviteti. Nuk mund të pajtohem me një standart të tillë që është vetëm një shpikje dhe asgjë më shumë”, replikoi Madhi.
Në marrjen e fjalës, në gjykimin e tij rreth fushatës zgjedhore, Milo konsideroi: “Në qoftë se duhet të jap mendimin për fushatën, unë do të thoja që ka më tepër ndryshim në formë se sa në përmbajte. Ka disa elemente të reja të formës që i kemi vënë re të gjithë, por përmbajtja e fushatës nuk ndryshon shumë nga 2-3 fushatat e fundit që kemi bërë si për zgjedhjet vendore, edhe për parlamentaret. Në përgjithësi kemi një politikë tradicionale zgjedhore, ku kundërshtari politik shihet gati-gati si një armik që duhet asgjesuar dhe nga kjo frymë nuk kemi shpëtuar as këtë herë. Ka një fjalor të papranueshëm dhe të egër e të gjithë jemi dakord që diku-diku, mund të jetë moderuar, por në thelb mbetet e tillë e ka pak debate. E kam vënë re që ka pak debate televizive për të zbërthyer programet. Mund të ketë biseda, por pak debat televiziv specialistësh për të zbërthyer programet e të dyja palëve, e aq më keq mungon debati i liderve që është ndër karakteristikat kryesore të fushatave zgjedhore në të gjithë botën”.
Në vazhdim të emisionit, vëmendja u zhvendos tek spekulimet dhe akuzat për vjedhjen e votave. Në lidhje me këtë çështje, Shehi theksoi: “Nuk e besoj se ndodh, e kushdo që e genjën mendja duke menduar se do të blejë vota, mund të blesh 200-500 vota, por këto nuk janë të mjaftueshme për të bërë ndryshimin real, ndaj besoj se sado që mundohen kjo është e para një turp, për popullatën dhe kombin vetë. Sepse ata që e shesin votën, dakord kanë një fukurallëk, por nuk është ky treguesi sepse ditët që merresh me këtë punë, tregon që nga demokracia nuk ke mësuar asnjë gjë. Megjithatë, ju garantoj se në 20 ca vjet që merren me këtë punë, nuk mendoj se ka pasur ndonjë rezultat nga blera e votava”.
“Qarku Fierit është ndër qarqet më interesante nga pikëpamja e tregut të votave. Natyrisht që është ashtu siç thotë Shehi, varfëria është një element nxitës, por nuk gjykoj ata njerëz të varfër që shohin edhe një 10 mijë lekësh si mundësi për të shtyrë ca ditë”, u kundërpërgjigj Braçe.
“Ajo që më neverit nga kolegët e mi është që në çdo rast që kam dëgjuar për blerje votash, blerësi ka qenë një deputet. Ka plot të tillë ama, mes nesh, që i vënë çmim jo vetëm votës, por çdo njeriu dhe vështirë se kjo ndodh edhe në Afrikë. T’i vendosësh sot një çmim qytetarit e të abuzosh me gjendjen e tij, duke garantuar për veten tënde një pozicion në këtë mënyrë, është diçka e neveritshme dhe e pashpresë, pasi pason papërgjegjshmërinë në raport me qytetarin, që i thua të bleva dhe hesht tani”, shtoi Braçe, kandidat socialist për Qarkun e Fierit.
Deputeti socialist, Erjon Braçe u ndal tek sulmet e bëra nga kryeministri Berisha gjatë përurimit të tunelit të Krrabës. Në fjalën e tij, Berisha e quajti aksident Braçen në politikë.
“Më 24 qershor berisha nuk do të jetë më kryeministër, do të jetë në dorën e tij të vendosë nëse do të jetë në politikë ose jo, por unë e sigurtë që do të jem. Ky kryeministër në 2009 tha që do përfundonte rrugën e Arbërit, Tepelenës, Unazën e Madhe të Tiranës etj. Këto rrugë nuk janë bërë dhe ky është një angazhim i pambajtur. Janë ndërtuar, rreth 700 km rrugë. Pastaj kemi sistemim rrugësh, sistem rrugësh kategorisë A, B dhe C. Sipas raportit të Drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve janë vetëm 1809.4 kilometra rrugë. Ku janë 10 mijë km? Janë shpenzuar miliona e miliona euro nga buxheti shtetëror. Tuneli i djeshëm vërteton më së miri se sa është vjedhur në tunelin e mëparshëm”, tha Braçe.
Nënkryetari i republikanëve, Arjan Madhi tha se rrugët kanë qenë prioritet i kësaj qeverise dhe akuzoi socialistët se në 8 vjet me qendrimet e tyre politike kanë penguar dhe dëmtuar zhvillimin e vendit.
Kryetari i PDS-së, Paskal Milo tha se janë ndërtuar rrugë, por se një ballafaqim mes atyre që janë premtuar dhe atyre që janë realizuar duhet bërë. Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi kritikoi gjithashtu opozitën për qendrimet e saj.
“Shqipëria nuk është bërë vend i pasur, por që të themi që Shqipëria është vend i mizerjes, kjo është e tepruar, që Shqipërisë i duhen rrugë kjo dihet, por që të thuash se nuk janë ndërtuar rrugë kjo është e tepërt”, tha Shehi.
Për Braçen investimet në infrastrukturë janë përqendruar vetëm e vetëm për korrupsion. Ai tha se në këtë sektor të ekonomisë “vidhet më lehtë”: “Janë hedhur para në rrugë sepse në rrugë është kollaj të vjedhësh. Kjo politikë buxhetore ka lënë zbuluar shëndetësinë, arsimin dhe mbi të gjitha bujqësinë”, tha Braçe.
Në pjesën e tretë studio së Shqip iu bashkuan dy kandidatë të tjerë për deputetë, dy ish të përndjekur. I pari Daut Gumeni që kryeson listën e Frymës së Re Demokratike në Qarkun e Vlorës dhe tjetri Besim Ndregjoni që kandidon për Lëvizjen e Legalitetit, brenda koalicionit të djathtë.
“Me statistika del që Qarku i Vlorës është qarku më i përndjekur nga komunizmi për numër të përndjekurve dhe të pushkatuarve. Unë ndjehem mirë që në emër të FRD përpiqem të përfaqësoj në atë qark jo vetëm të përndjekur por të gjithë ata të papërfaqësuarit, ata që u janë nëpërkëmbur ëndrrat e tyre për demokraci dhe liri, të gjithë të zhgënjyerit. Kam bindjen që është luajtur me endërrat e njerëzve për demokraci, është tallur me dëshirat e tyre dhe për këtë nuk është më pak fajtore pjesa e politikës shqiptare që vetëcilësohet si e djathtë, por që në kupolë është më e majtë nga c’ka lënë Partia e Punës”, tha zoti Gumeni.
Nga ana e tij zoti Ndregjoni tha se ndjehej i nderuar që kandidonte për PLL që ai e cilësoi si themeluesja e së djathtës shqiptare e që so është në zemër të saj.
Sa për një parashikim mbi rezultatin e 23 qershorit, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi foli me bindje për një fitore të koalicionit të djathtë, ndërsa deputeti socialist, Erjon Braçe renditi një sërë faktorës, që sipas tij, ia bëjnë të pamundur Berishës marrjen e mandatit të tretë.
Braçe përmendi konfliktin politik, tragjedinë e Gërdecit, 21 Janari, krizën ekonomike dhe ofertën e propozuar nga e majta për elektoratin shqiptar si disa prej faktorëve që nuk i mundësojnë Berishës mandatin e tretë.
Top Channel