
Partia Socialiste ka përmbyllur fushatën në qarkun e Korçës, ku kryesocialisti Edi Rama është shprehur entuziast për mbështetjen e elektoratit korçar, të dielën më 23 qershor.
“Kjo pamje është përrallore! Është pamja, që në mënyrën më të mrekullueshme bashkon njerëzit me ngjyrën dhe erën e Rilindjes, që mbi Korçë po fryn shumë fort. Nuk ka faj, nuk ka faj i gjori plak, që i duket se sheshet tona i sajojnë lentet e kamerave. Sot Korça po i jep të gjithë Shqipërisë një mesazh të jashtëzakonshëm, që vjen nga vatra, ku u plasmuan gërmat e gjuhës shqipe, nga djepi i shkollës shqipe, nga oborri ku kultura shqiptare pa të lindin në dritën dhe vezullojnë në qiellin tonë të përbashkët shumë yje. Do të jetë e thellë dhe do të jetë fitorja e Shqipërisë europiane mbi rrënimin, injorancën, mbi analfabetizmin, mbi papunësinë dhe varfërinë, mbi krimin dhe korrupsionin”, tha Rama.
Nga Korça, Rama ka reaguar edhe ndaj sulmeve personale lëshuar nga kryeministri.
“Saliu, gjatë gjithë këtyre ditëve, po e dëshmon me fushatën e tij të dëshpëruar, po e dëshmon me valën më të fundit të sulmeve personale. Ai e ndjen disfatën e 23 qershorit. Le ta lëmë Saliun të vazhdojë të mbajë syrin te vrima e çelësit tim, për të parë se çka brenda, njësoj si ata të sigurimit njëherë e një kohë, që u shkonin nga prapa të dashuruarve nga liqeni artificial dhe pastaj bënin raporte për shfaqjet e huaja, për degjenerimin, për rënien e rinisë në kthetrat e armikut”, tha Rama.
“Eh Sali! Sali! Ah Sali! Ah Sali nuk ke faj, thotë një fjalë e urtë: vesi del me shpirtin dhe ke këtë dreq vesi, që do të survejosh tërë dynjanë. E ke nga koha e vjetër, koha e luftës me shfaqjet e huaja, nga koha e gërshërëve për flokët e gjata dhe pantallonat kauboj, nga koha kur të mbanin në varkë e të shëtisnin Sali, të shëtisnin mbi liqen dhe ti shijoje udhëtimet e partisë dhe bëjë çmos t’i tregoje partisë, ku t’i gjente armiqtë”, shtoi Rama.
Kryesocialisti i ftoi korçarët të votojnë Partinë Socialiste, me nr 29.
“Natyrisht, Korça do të votojë në 23 qershor për të vazhduar projektin e kthimit në identitetin e vjetër të “Parisit të vogël” të shqiptarëve. Ka edhe gjashtë ditë, edhe gjashtë ditë për të nënshkruar fatin e një gjenerate, edhe gjashtë ditë për të nënshkruar projektin e një rilindje shqiptare, edhe gjashtë ditë për të nënshkruar ndarjen përfundimtare me një katragjysh të stërlodhur dhe për ta hequr nga zverku pushtetin e tij marramendës dhe mbytës. Në këto gjashtë ditë, çdo shqiptare e shqiptar, jo si socialist apo demokrat, por si njeri i zakonshëm i këtij vendi, duhet të bëjë çështë e mundur, që zgjedhja e qartë të bëhet sa më kumbuese, të hapim derën për rilindje”, përfundoi Rama.
***
Partia Socialiste e nisi mbylljen e fushatës elektorale me një miting në qytetin e Peqinit, ku kandidon Alfred Peza. Në këtë takim, Rama deklaroi se vota e 23 qershorit duhet të shërbejë për të gjithë shqiptarët në funksion të nxjerrjes nga tuneli, të mungesës së shpresës që ka pllakosur vendin.
Prezencën e mijëra qytetarëve të Librazhdit në shesh, Rama e quajti një gjë të zakonshme, e cila dëshmon sikurse edhe në Elbasan, dëshirën, siç tha ai, të refuzimit të tuneleve elektorale.
Ndërsa tërësisht, fushata elektorale e PS do kulmojë të premten me dy mitingje paralele në dy qytete të vendit përkatësisht në Shkodër dhe Vlorë.
Top Channel