
Kur kanë mbetur edhe 6 ditë nga koha kur shqiptarët me votën e tyre do të vendosin se kush do t’i qeverisë, SHBA nërpërmjet ambasadorit Alexander Arvizu po shikojnë me detaje të gjithë proçesin parazgjedhor.
Kjo e ka çuar në Vlorë ambasadorin Arvizu për të vëzhguar nga terreni përgatijet e deritanishme në këtë qark. Shpëtim Gjika, kryebashkiak i Vlorës, e siguroi ambasadorin për zhvillimin e një proçesi zgjedhor të qetë e pa incidente në 23 qershor.
Ndërsa vetë ambasadori, në një prononcim për median, tha se shpreson që të mos ketë vonesa në nxjerrjen e rezultatit. “U inkurajova shumë kur dëgjova nga kryebashkiaku Gjika se përgatitjet e zgjedhjeve këtu janë duke shkuar shumë mirë. Dhe kjo lidhet si me qendrat e votimit, ashtu edhe me ato të numërimit. Gjithashtu, i thashë zotit Gjika se ne presim me kënaqësi daljen në kohë dhe me saktësi të rezultateve”, deklaroi Arvizu.
Pjesë e axhendës së të hënës për ambasadorin Arvizu ishte edhe një bashkëbisedim online nëpërmjet faqes në Facebook të ambasadës me qytetarët, po për zgjedhjet e së dielës.
Që në fillim të bashkëbisedimit, ambasadori amerikan u shpreh se ka dijeni që po ushtrohet presion ndaj votuesve. Por Arvizu mendon se votuesit kanë fuqi të kapërcejnë çdo kanosje, pavarësisht kahut politik nga vjen dhe të mund të zgjedhë.
“Unë nuk e vë në dyshim në asnjë moment që po ushtrohet presion ndaj votuesve dhe nuk e kam fjalën vetëm për njërën palë. Por skemat e atyre që ushtrojnë presion do të kenë sukses vetëm nëse ia dalin që të kanosin votuesit individualë. Pra ju, votuesit, keni fuqinë për të kapërcyer këtë kanosje, pavarësisht kahut nga i cili vjen. Zgjedhja është e juaja”, u shpreh Arvizu.
‘Cilat janë pritshmëritë tuaja dhe kush mendoni se do fitojë zgjedhjet?’, ishte nje prej pyetjeve. “Presim që procesi zgjedhor, vetë votimi, nxjerrja e rezultateve, të jetë konseguent me standardet e një vendi anëtar të NATO-s dhe gjithashtu të një vendi që aspiron të bëhet vend anëtar i BE-së”, nënvizoi Arvizu.
Alexander Arvizu u pyet edhe nëse këto zgjedhje do të prodhojnë një rrotacion të pushtetit. “Nëse vota është e lirë dhe e drejtë, siç duhet të jetë, atëherë votuesit do të jenë ata që do të vendosin nëse, dhe kur duhet të ndodhë rrotacioni”, u përgjigj ai.
Audienca e bashkëbiseduesve online i drejtoi disa pyetje ambasadorit në lidhje me KQZ-në. “Kemi adresuar çështjet e KQZ-së në mënyrë të vazhdueshme. Nuk është e tepërt të themi se ne besojmë fortë që duhet të konstituohet plotësisht. Që kjo të ndodhë, duhet që të dyja palët të bien dakord. Nuk është asnjëherë shumë vonë”, tha Arvizu.
A mendoni se koalicioni që do humbë zgjedhjet do e njohë humbjen dhe a mund të përsëritet sërish i njëjti skenar që ndodhi në Tiranë në zgjedhjet vendore të para 2 viteve, ishte një prej pyetjeve. “Është viti 2013. Shqiptarët sot meritojnë të kenë zgjedhje të cilat përputhen me standartet ndërkombëtare. Sa më shumë këto zgjedhje të arrijnë këto standarte, aq më pak shanse ka që rezultatet të jenë të diskutueshme. Unë mendoj se njerëzit do ta dinë ashtu siç do ta dijë edhe komuniteti ndërkombëtar”, u përgjigj ambasadori.
Të dielën ambasadori Arvizu do të jetë në Tiranë në krye të një grupi vëzhguesish nga ambasada amerikane për të parë ecurinë e zgjedhjeve në kryeqytet.
Top Channel