Topi: T’i japim fund tranzicionit

16/06/2013 16:20

Kreu i FRD-së, Bamir Topi, i ka kërkuar banorëve të Gosës në Kavajë të ushtrojnë të drejtën e votës për t’i dhënë fund tranzicionit dhe që 23 qershori të shënojë kthesë epokale për shqiptarët.

“FRD-ja po shkon drejt zgjedhjeve të 23 qershorit me një frymë optimizmi dhe fitoreje që do të bëjë që të ketë në parlament grupin e saj dhe të jetë një faktor i rëndësishëm për qeverisjen e nesërme”, deklaroi Topi.

Duke vënë theksin në problematikën e komunës Gosë, Bamir Topi u shpreh se banorët e kësaj komune janë viktimë e mungesës së përgjegjësisë së qeverisë dhe pushtetit vendor.

Mediu: Zgjidhje çështjes së pronës

Kryetari i republikanëve, Fatmir Mediu, prezantoi kandidatin për deputet në qarkun e Beratit, Lulzim Sollaku. Mediu u shpreh para qyetarëve të Beratit se partia që ai drejton nuk do të reshtë së kërkuari zgjidhjen e çështjes së pronës.

“Partia Republikane, në bashkëpunim me pronarët, ka vendosur t’i adresohet Komisionit Europian që të certifikojmë të gjithë legjislacionin për pronat”, deklaroi Mediu.

Në një takim me banorët e Bërzhitës në Tiranë, Mediu ka prezantuar kandidatin për deputet Shkëlqim Gjuzi.

Idrizi, fushatë në Sarandë

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i bën thirrje elektoratit të  votojë partinë që ai drejton për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen çame. Politika shqiptare, tha Idrizi, duhet t’i shmanget konfliktualitetit dhe të mos ndajë shqiptarët në veri dhe jug.

“Të luftojmë për dinjitetin tonë, por sigurisht të trimërojmë edhe politikën shqiptare e parlamentin sa herë që cënohen interesat e shqiptarëve. Kjo është ajo që PDIU-ja i afron të gjithë shqiptarëve”, tha Idrizi.
Në një takim në qytetin e Sarandës, Idrizi garantoi simpatizantët e PDIU-së se do të përfaqësohen me 7 deputetë në parlamentin e ardhshëm.

Ndoka: Vazhdimësi qeverisjes  

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka zhvilluar një takim elektoral me banorë të qytetit të Durrësit ku ka akuzuar koalicionin e majtë.

“Koalicioni i majtë është një koalicion pazaresh, të pavlerë dhe pa moral. E djathta është krejt ndryshe: ka tolerancë dhe bashkëpunim maksimal mes partive”, u shpreh Ndoka.

Në një tjetër takim me banorë të Kombinatit në Tiranë, Ndoka ka kërkuar të votojnë PDK-në për të lejuar vazhdimësinë e qeverisjes së koalicionit të djathtë.

LZHK, takime në Korçë

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, është takuar me simpatizantë të kësaj lëvizjeje në Korçë.

Shehi tha se në paralemntin e ardhshëm do të kërkojë ndryshimin e Kushtetutës që sipas tij është hartuar 15 vjet më parë dhe në rrethana të tjera.

“LZHK-ja pretendon të japë një kontribut në radhë të parë në elementin shtetformues. Gjithashtu duam ta mbyllim përfundimisht çështjen e pronës”, theksoi Shehi.

Kreu i LZHK-së i premtoi korçarëve reforma në arsim dhe punësim, ndërsa një vëmendje të madhe i ka kushtuar legalizimit të banesave.

Milo: Luftë korrupsionit

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, gjatë një takimi elektoral në qytetin e Vlorës u kërkoi pjesëmarrësve të votojnë partinë që ai drejton pasi së bashku me koalicionin e majtë do të luftojnë korrpusionin dhe do të punojnë në të mirë të qytetarëve.

“Ne do të jemi vazhdimisht të përkushtuar për t’i dhënë vendit një qeverisje solide dhe një qeverisje që do të luftojë korrupsionin pa mëshirë. Ne do i japim shqiptarëve arsye për të besuar pse ne duhet të mbështesim njëri-tjetrin”, tha Milo.

Topalli, takime në Shkodër

Kryesuesja e listës së PD-së për qarkun e Shkodrës, Jozefina Topalli, u takua me banorë të një lagjeje në Shkodër ku diskutoi me ta për projektet e koalicionit të djathtë.

Topalli akuzoi kreun e opozitës, Edi Rama, duke u shprehur se modeli i tij është Tom Doshi: “Këtë radhë e pret humbja përfundimtare. Ai nuk ka asnjë koncept të shtetit, ligjit apo ekonomisë. Ka qenë bllokues dhe bojkotues i çdo procesi dhe reforme. Është gënjeshtar, por ka thënë të vërtetën kur tha se Tom Doshi ishte modeli i partisë së tij.”

Bode, fushatë në Korçë

Qeveria demokratike do të vijojë në mandatin e tretë të modernizojë infrastrukturën rrugore sepse ka bindjen se rruga është një mundësi më shumë, është një biznes më shumë, të ardhura më të mëdha dhe mirëqenie më e madhe.

Kështu iu është drejtuar qytetarëve të Korçës kreu i listës së demokratëve për këtë qark, Ridvan Bode: “Të braktisim politikën e bllokimit dhe të vazhdojmë së bashku projektin e ndryshimit dhe zhvillimit të Korçës.”

Ruçi: Shqetësim për Albpetrolin

Nga komuna Greçalli e qarkut të Fierit, kandidati socialist Gramoz Ruçi, i kërkon Prokurorisë të shqyrtojë se ç’po ndodh me Albpetrolin, i cili është mbushur me militantë, ndërsa naftëtarët profesionistë janë hedhur në rrugë.
“Militantë partie janë të punësuar në 3-4 bordero’ dhe marrin rrogat në mënyrë fiktive”, u shpreh Ruçi.

Fushata e AK në Durrës

Kandidati i Aleancës Kuqezi në qarkun e Durrësit, Lisien Bashkurti, i ka kërkuar qytetarëve durrsakë ta votojnë në zgjedhjet e 23 qershorit pasi Aleanca Kuqezi është për bashkim dhe jo përçarje.

“Nuk është Shqipëria pa dialog dhe konsensus”, tha Bashkurti.

Ndërsa Florentina Xheka, biznesmene në këtë qytet, akuzoi qeverisjen aktuale për shkatërrim të biznesit: “Kasta në fuqi qarkullon tonazhe mallrash kontrabandë duke sjellë falimentin e bizneseve të ndershme.”

Kandidati i Aleancës Kuqezi, Bashkurti, theksoi se kjo lëvizje do të ofrojë dialogun dhe konsensusin e munguar në parlament.

Duka, fushatë në Durrës

Kryesuesi i listës së Partisë Republikane në Durrës, Agron Duka, e konsideron  Kodin Elektoral një gabim të politikës i cili lejon emërimin e deputetëve dhe jo zgjedhjen e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA