
Kleriku 64-vjeçar Hasan Ruhani do të jetë presidenti i Iranit. Ai siguroi mbi 50% të votave dhe ky rezultat shmang një raund të dytë të zgjedhjeve. Pas tij u rendit Mohamad Baker Kalibaf.
Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 72.2%. Ajatollahu Ali Kamenei do të ratifikojë votën më 3 gusht. Presidenti i ri do të betohet më pas në Parlament.
Në debatet televizive ai ka folur për çështje tabu siç ishin: sanksionet shkatërruese të Perëndimit për programin bërthamor, gjendjen e tmerrshme ekonomike dhe izolimin ekstrem të Iranit në bashkësinë ndërkombëtare.
Ai u zotua të rivendoste marrëdheniet me “armikun e vjetër të Iranit”, SHBA, që u ndërprenë në vitin 1979 pasi studentët islamikë mësynë ambasadën amerikane në Teheran.
Ruhani ka kritikuar hapur presidentin Mahmud Ahmadinejad, duke thënë se deklaratat e tij të pastudiuara i kanë kushtuar shumë vendit. Proçesi i votimit u zgjat të premten me pesë orë, deri në orën 23.00 me orën lokale, nga radhët e gjata.
Megjithëse të gjashtë kandidatët konsiderohen si konservatorë, analistët thonë se Ruhani, kleriku 64-vjeçar, kohët e fundit mori mbështetjen e reformatorëve.
Përkrahja për të u shtua pasi Mohamad Reza Aref, kandidati i vetëm reformist, u tërhoq nga gara të martën me këshillin e ish-presidentit pro-reformave Mohamad Katami.
Ruhani shkoi në zgjedhje me pëkrahjen e dy ish-presidentëve, Katamit dhe Akbar Hashemi Rafsanxhani, i cili u përjashtua nga gara prej Keshillit Mbrojtjës. Të paktën 50 milionë iranianë votuan për të zgjedhur pasuesin e presidentit Mahmud Ahmadinejad.
Tetë vitet e tij në krye të Iranit u karakterizuan nga vështirësitë ekonomike dhe sanksionet e Perëndimit për programin aq të debatueshëm bërthamor.
Top Channel