Kryetari i Partisë Socialiste, nga aktiviteti elektoral “Tirana e të gjithëve”, e avancoi më tej planin që ai do të ketë si kryeministër i vëndit për legalizimet, krahas të qënurit ai vetë, në krye të këtij procesi.
“Familjet nuk do të paguajnë asnjë qindarkë për legalizimin, e ky nuk është vetëm një premtim elektoral. Të gjitha shpenzimet e procesit të legalizimit do t’i bëjë shteti. Mos i besoni teorisë së Saliut se do t’ju vëmë nga një zyrë legalizimi në çdo lagje. Kjo është me u vënë nga një hajdut në çdo lagje. Për lagjet informale legalizimi do të jetë falas”, deklaroi Rama.
Nga ky takim, kryetari i opozites kundërshtoi deklarimet e kryeministrit Berisha se ai i ka cilësuar shpellarë veriorët, duke e sfiduar rivalin e tij politik të bëjë publik videot e një fakti të tillë.
Aktivitet elektorale te kreut te opozites vijuan në Gjirokaster, ku ai përsëriti akuzën per kryeministrin Berisha se “duart e pastra me të cilat erdhi në pushtet në 2005-n i ka të zhytyra në zullumin e korrupsionit dhe atë të dramave dhe tragjedive të shqiptarëve në vitet e fundit, shkak për të cilin se beson me as bota”, tha Rama.
Në Gjirokstër, Edi Rama apeloi për të votuar PS, apel te cilin nuk ia adresoi vetem socialisteve.
”Kjo është Gjirokastra që hyn në rrugën e re. Është Gjirokastra si asnjëherë më parë. Mirënjohje të gjithëve. Do jemi këtu pas 23 qershorit për të bërë realitet ëndrrën e jashtëzakonshme: Rilindje për Gjirokastrën dhe Shqipërinë”, ka deklaruar Rama.
“Nëse më 29 nëntor Shqipëria u çlirua nga pushtuesit e huaj, më 23 qershor, me numrin 29, shqiptarët do të çlirohen nga pushteti i një familjeje dhe një pushteti shërbëtorësh të asaj familjeje. Shqiptarët do çlirohen nga pushteti i korrupsionit, varfërisë dhe papunësisë”, ka vijuar kreu i opozitës, i cili i ka drejtuar një mesazh kryeministrit Berisha.
“Shqipëria është familja jonë e madhe dhe Shqipëria nuk mund të punojë për familjen tënde, Sali. Ne jemi këtu për të punuar së bashku me 700 mijë familje në Shqipëri. Që pas 23 qershorit të mos varen nga lidhjet e tua në familjen në pushtet”, ka thënë kreu i PS.
Top Channel