Nga prezantimi i kandidatëve për Tiranën, kryetari i LSI Ilir Meta akuzoi qeverinë Berisha se në tatëpjetën që ka marrë po kërkon të marrë edhe Shqipërinë me vete, duke vënë në rrezik buxhetin e shtetit dhe treguesit makroekonomikë që i ka vënë në shërbim të fushatës elektorale.

“Nesër inaugurohet tuneli i Krrabës, elektoral dhe jashtë çdo standarti, vetëm e vetëm se Berisha kujton se do të marrë ndonjë votë më shumë nga Tirana dhe Elbasani, por përgjigjen do ta marrë me votën e largimit nga e gjithë Shqipëria”, deklaroi Meta.

Meta akuzoi Flamur Nokën se ka vënë policinë në shërbim të fushatës elektorale të demokratëve. “Ai nuk do të marrë tre mandate në Kukës, po të mbajë mandatin e tij sepse i duhet imuniteti për t’u përballur me ligjin për veprimet e paligjshme”, tha Meta.

Akuzat ndaj Nokës, Meta i bëri pasi deklaroi se LSI ka ambicje për një deputet në Kukës dhe se po lufton të marrë të tretin në Berat dhe Fier.

Ndërkohë, ai kundërshtoi skeptikët dhe sondazhet për rezultatin në qarkun e Tiranës ku ai vetë kryeson listën. “Unë si kryetari juaj deklaroj me përgjegjësi se rezultati jonë në Tiranë do të jetë spektakolar”, shtoi Meta.

Më herët gjatë ditës Meta ishte në Burrel, ku deklaroi se komisionerët e LSI në të gjithë piramidën zgjedhore do të jenë garant jo vetëm për mbrojtjen e votës së kësaj force politike, por garant i respektimit të vullnetit të zgjedhësve.

Ndërsa në një vizite në fermat bujqësore në Lushnje, Meta siguroi fermerët se plani i punësimit i Lëvizjes Socialiste për Integrim do të nisë nga bujqësia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA