
Për Shtetet e Bashkuara, Siria e ka kaluar vijën e kuqe. Gjatë luftimeve mes palëve në konflikt janë përdorur armë kimike nga ushtria siriane.
Zëvendëskëshilltari i presidentit Obama për sigurinë kombëtare, Ben Rhodes tha se, “vendimi për të armatosur kryengritësit sirianë është finalizuar dhe nuk do të ndryshojë nga bisedimet e javës së ardhshme me krerët G8-ës”. Sipas tij, Uashingtoni beson se 100-150 persona janë vrarë nga qeveria me gaz helmues.
“Përdorimi i armëve kimike shkel normat e qarta ndërkombëtare. Për dekada, bashkësia ndërkombëtare ka dashur të përmirësojë një normë kundër kësaj arme. Duke iu referuar viktimave masive, llojit të armës së shkatërrimit në masë dhe efektit që kemi parë kur është përdorur në të shkuarën, atëherë kjo nuk duhet të jetë vetëm vija e kuqe për SHBA. Duhet të jetë vija e kuqe për bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi”, deklaroi Rhodes.
Rhodes gjatë një konference për shtyp iu përgjigj edhe Kremlinit, që rrëzoi faktet e Uashingtonit për përdorimin e gazit sarin. “Kemi fakte të shumta lidhur me incidente të përdorimit të armëve kimike që pohojmë që kanë ndodhur. Kjo përfshin raportime nga burime, shërbimet sekrete dhe rrëfime individuale, madje përfshin edhe kampione fiziologjike të gazit sarin që në i gjetëm brenda Sirisë. Ne pohojmë me besimin më të madh se gazi sarin është përdorur dhe regjimi ruan këto armë”, theksoi Rhodes.
Zyrtarët amerikanë thanë se Obama do të përpiqet të bindë Putin që të heqë dorë nga mbështetja për Assad, kur dy udhëheqësit të takohen në Irlandën e Veriut në samitin e G8-ës. Rhodes tha se do të ishte shumë herë më e vështirë dhe e kushtueshme për caktimin e një zone ndalim-fluturimi mbi Sirinë, sesa në Libi, duke nënvizuar se SHBA nuk kanë interesa kombëtare në ndjekjen e kësaj mundësie.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Llavrov iu referua raportimeve në gazetën “Ëall Street Journal”, për shqyrtimin e mundësisë në krijimin e një zone ndalim-fluturimi mbi Sirinë, duke zhvendosur në Jordani raketa kundra-ajrore “Patriot” dhe avionë ushtarakë “F-16”. Llavrov tha se krijimi i kësaj zone do të ishte një shkelje e ligjit ndërkombëtar.
Top Channel