Listat, zhvendosje dhe fshirje të votuesve nga Qarku i Tiranës

14/06/2013 00:00

Në këto ditë të fundit parazgjedhore, dilema e votuesve shqiptarë
vazhdon të jetë se ku ata do ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Listat zgjedhore janë kthyer në një makth të vërtetë për shqiptarët, pasi nëse disa prej tyre nuk do votojnë në qendrën ku ata kanë votuar zgjedhjet e kaluara, ka dhe prej atyre që janë fshirë krejtësisht nga listat e zgjedhësve, për të cilat vetë zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, deklaroi pak kohë më parë se listat janë krejtësisht të rregullta dhe pa asnjë problem. Por vetëm dhjetë ditë para ditës së votimit, e kundërta e kësaj deklarate është e vërtetë.

Denoncimi

Pak kohë më parë, gazeta “Shqip” denoncoi zhvendosjen e mbi 14 mijë votuesve jo vetëm në zona të ndryshme brenda Tiranës, por që rezultonin edhe zhvendosje të zgjedhësve në qytete të tjera, pasi emri i tyre nuk figuron në listat e zgjedhësve të Tiranës. Dje paradite, kryetari i njësisë bashkiake nr. 7 në Tiranë, Erjon Koka, në një prononcim për mediat riktheu në qendër të vëmendjes këtë fenomen të hasur me problemet e listave. Duke denoncuar rastin e një familjeje që prej katër vitesh jeton në kryeqytet, ku pjesëtarët e saj janë detyruar të votojnë në Korçë, Koka theksoi se ky nuk është rasti i vetëm. Sipas kreut të njësisë 7, pjesëtarët e saj nuk kanë bërë asnjë kërkesë për t’u çregjistruar nga Tirana si votues, ndërkohë që vazhdojnë të marrin të gjitha shërbimet në njësinë 7. Koka theksoi gjithashtu se në listat përfundimtare ka pasur edhe persona të tjerë që nuk e kanë gjetur emrin. Në këtë rast, sipas kryetarit të njësisë 7, duhet të ndërhyjë gjykata.

Zhvendosjet

Por kjo nuk është e vetmja njësi bashkiake që ka pasur probleme me listat e zgjedhësve, ndërkohë që afati ligjor për të bërë tashmë rregullimet në to ka përfunduar, dhe për këto raste ende nuk ka një përgjigje definitive nga institucionet përkatëse se çfarë do të ndodhë, a do të votojnë ose jo këta qytetarë më 23 qershor. E kontaktuar me telefon, kryetarja e njësisë nr 5, Jeta Seitaj thekson se gjatë evidentimit të listave janë hasur raste problematike, ku zgjedhësit ishin zhvendosur në njësi të tjera vendore brenda kryeqytetit. Por, siç tha ajo, ndërhyrja është bërë në kohën e duhur, gjë që ka sjellë dhe rregullimin e plotë të listave të zgjedhësve që i përkasin njësisë vendore që ajo drejton. Dy janë njësitë më të lakmuara në Tiranë për të rritur votat e tyre nga demokratët. Bëhet fjalë për njësinë 7 dhe njësinë 9, ku numri i popullsisë së kryeqytetit është më i madh. Në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011, një shqetësim i ngjashëm u konstatua në njësinë bashkiake nr. 11 ku u vendos dhe fati i garës së kryeqytetit mes kryesocialistit Edi Rama dhe fituesit Lulzim Basha. Në njësinë 11 u konstatua rritja e popullsisë së kësaj njësie nga votues që ishin zhvendosur nga qytetet e tyre dhe ishin regjistruar si votues të kryeqytetit. Dhe kjo, u denoncua nga socialistët.

Top Channel