
Protestat në Brazil, kundër rritjes së biletave të autobusëve dhe metrove, janë kthyer në manifestime të dhunshme, duke u përplasur me policinë në qytetin më të madh të vendit, Sao Paulo.
Policia ka qëlluar me plumba gome dhe ka hedhur gaz lotsjellës, duke arrestuar rreth 40 njerëz në qendër të qytetit. Sipas policisë, janë sekuestruar bomba molotov, thika dhe drogë.
Të paktën 55 njerëz janë plagosur në përplasjet e dhunshme, bën të ditur gazeta “Folha de Sao Paulo”. Gazeta njofton se 6 nga gazetarët e saj janë plagosur, 2 prej të cilëve janë goditur në fytyrë.
Policia është përpjekur të kontrollojë demonstruesit, të cilët kanë arritur tashmë në sheshin kryesor të qytetit, Avenida Paulista, ku shumë dyqane janë vandalizuar të martën, pas rritjes së tarifave të autobusëve.
Guvernatori i shtetit, Geraldo Alckmin i quajti demonstruesit “vandalë” dhe premtoi se do të veprojë për të shmangur një përsëritje të dhunës.
“Policia veproi me profesionalizëm”, tha Alckmin, duke mohuar akuzat se ata kanë përdorur forcë të tepruar.
Në Rio de Janeiro dhe qytete të tjera, mijëra njerëz kanë marshuar në mënyrë paqësore, duke kërkuar anulimin e rritjes së tarifave. Çmimet për një biletë në Sao Paulo janë rritur më 2 qershor nga 3 realë (1,4 USD) në 3,2 realë (1,5 USD).
Autoritetet thonë se rritja është shumë më poshtë inflacionit, i cili ka qenë në rreth 15,5%, që prej janarit 2011, sipas shifrave zyrtare.
Top Channel