Veriu: Faji i Jugut për dështimin e dialogut

13/06/2013 00:00

Korea e Veriut ka fajësuar Jugun për “sjellje arrogante” që sipas saj çoi në anulimin e bisedimeve të nivelit të lartë.

“Trazirat e planifikuara nga Korea e Jugut duke ndërruar kreun e delegacionit të saj i bënë bisedimet dypalëshe të pamundura”, deklaroi qeveria e Penianit.

Bisedimet e planifikuara, që erdhën pas muajsh tensionesh të larta, u braktisën pasi të dyja palët nuk ranë dakord për përbërjen e delegacioneve. Seuli deklaroi nga ana e tij se ka mbetur i zhgënjyer nga përgjigjia e Koresë së Veriut.

Ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve “KCNA” e përshkroi emërimin e zëvendësministrit për Unifikimin, Kim Nam Shik si kryetar të delegacionit të Jugut si një mungesë respekti të papreçedentë në historinë e dialogut Veri-Jug.

“Kjo dhe vështirësitë për t’u marrë vesh për axhendën e bisedimeve provuan se Jugu nuk kishte ndërmend të mbante dialog që nga fillimi dhe se u përpoq të krijonte një pengesë për bisedimet, duke i vonuar ose minuar ato”, deklaroi qeveria e Penianit.

Në reagimin e saj thuhet se, kjo bëri që Veriu të vinte në dyshim nëse bisedimet ndërkoreane ishin të mundura. Dy Koretë nuk mbajnë bisedime në nivel ministrash që prej vitit 2007.

Marrëveshja për të mbajtur bisedime, që shihej nga analistët si një zhvillim i rëndësishëm, u arrit në orët e para të së hënës pas diskutimeve paraprake në fshatin Panmunxhom.

Top Channel