Policia e Fierit ka identifikuar një nga autorët e dyshuar të dhunimit
barbar që iu bë kandidatit për deputet të Partisë Fryma e Re
Demokratike, Mit’hat Hoxha, i cili rezulton të jetë familjar i kryetarit
të Bashkisë së Roskovecit, të fituar në vitin 2011 nga Partia
Demokratike.
Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhej se si një nga autorët e dyshuar të rrahjes së 50-vjeçarit Mit’hat Hoxha është identifikuar 29-vjeçari Eugen Çaushi nga Roskoveci.
Ndërkaq, në njoftim shtohej fakti se mbi bazën e materialeve të referuara nga policia gjyqësore, Prokuroria e Fierit ka regjistruar procedimin penal për nenin 325 të Kodit Penal. Më konkretisht prokuroria ka nisur hetimin për veprën penale të “pengimit me anë të kanosjes, dhunës, apo me çdo mënyrë tjetër të subjekteve zgjedhore apo të kandidatëve për të zhvilluar veprimtarinë e tyre në përputhje me ligjin gjatë fushatës zgjedhore”.
Por, ndonëse prokuroria ka regjistruar procedimin për këtë vepër penale, në njoftimin zyrtar të Policisë së Fierit thuhet se nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se ngjarja nuk ka motive politike. Ndërkohë, policia nuk ka dhënë ndonjë version tjetër lidhur me motivin e ngjarjes. Burimet zyrtare kanë pohuar se ende nuk është konkluduar në një version përfundimtar për sa u përket motiveve dhe se çështja është ende nën hetim.
Gjithashtu në njoftimin e policisë thuhet se është bërë edhe ndalimi i të dyshuarit si bashkëpunëtor në dhunimin e 50-vjeçarit Mit’hat Hoxha. Ky i fundit u dhunua barbarisht pak para mesnatës së të dielës pranë banesës së tij.
Ai ka qenë duke ecur i vetëm, kur rreth orës 23:00 tre persona i kanë zënë pritë dhe e kanë qëlluar me grushte e sende të forta deri sa e kanë lënë të shtrirë pa ndjenja në tokë. Familjarët, pasi e kanë gjetur pa ndjenja në tokë, e kanë transportuar menjëherë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku 50-vjeçari ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Më pas ai u transportua për në Spitalin Ushtarak në Tiranë për një mjekim më të specializuar. Bashkëshortja e tij, Liljana Hoxha, deklaroi një ditë pas ngjarjes, se persona të panjohur e kishin kërcënuar duke i thënë që Mit’hati ose të tërhiqej nga fushata ose do ta vrisnin. Ndërsa vetë 50-vjeçari Mit’hat Hoxha pohoi se nuk i kujtohej mirë ngjarja, pasi ishte i turbulluar. Lidhur me ngjarjen, reaguan disa parti opozitare, të cilat e dënuan aktin e dhunshëm duke e cilësuar si me prapavijë politike.
Top Channel