
Bursa japoneze pësoi një tronditje historike këtë të enjte, duke humbur 6,4% të vlerës së saj në pak orë.
Një rënie kaq e ndjeshme, e krahasueshme vetëm me efektin që shkaktoi tërmeti dhe tsunami i marsit 2011, kur paniku i një krize bërthamore shkaktoi shitje masive të aksioneve të firmave japoneze, rikthen frikën mbi “shëndetin” e ekonomisë së tretë më të madhe të botës.
Rënia e bursës japoneze, e reflektuar edhe në bursat e tjera botërore, u motivua nga një raport shqetësues i Bankës së Japonisë, mbi gjendjen e ekonomisë kombëtare.
Qeveria e kryeministrit Shinzo Abe, i rizgjedhur pas katër vitesh në opozitë në dhjetor 2012, ka vendosur rikthimin e rritjes si objektivin kryesor të punës së saj dhe për këtë po merren disa masa energjike, që përfshijnë reduktimin e borxhit kombëtar dhe zhvlerësimin e monedhës jen, pas 15 vitesh politikë të forcimit të saj.
Aktualisht, borxhi kombëtar i Japonisë llogaritet në triliona dollarë dhe me 230% të Prodhimit vjetor të Brendshëm Bruto, është një prej më të lartëve në botë.
Top Channel