
Tensionet brenda partisë së “Lëvizja e Pesë Yjeve”, të komedianit Beppe
Grillo u thelluan gjatë së mërkurës në Itali, pasi një senatore lëshoi
një sulm ndaj mënyrës së drejtimit të kësaj force prej liderit të saj.
Adele Gambaro, e cila u zgjodh deputete nga kjo lëvizje në zgjedhjet e
shkurtit, fajësoi qëndrimet e Grillos, për rezultatin e dobët të arritur
në zgjedhjet e pjesshme vendore të muajit qershor.
Grillo reagoi nga ana e tij me një blog, në të cilin ftoi deputetit që të japë dorëheqjen nga partia. Megjithatë, Gambaro nuk është zëri i vetëm që ka kritikuar Grillon, i akuzuar se nuk pranon mendimet e ndryshme brenda lëvizjes.
“Problemi
i kësaj lëvizje është vetë Grillo. Ne po paguajmë çmimin e mungesës së
komunikimit dhe tonit të përdorur prej tij, sidomos në kërcënimet e tij
në blogje”, akuzoi Gambaro, duke pretenduar se qëndrimet e paarsyeshme
të komedianit shkaktuan një krizë politike në Itali, nga e cila mbeti
ende një figurë e fortë e pushtetit ish-kryeministri Silvio Berlusconi.
Deputeti,
është zëri i radhës brenda partisë që sugjeron se “Cinque Stelle” duhet
të ishte bashkuar me një koalicion qeverisës, për të qenë një faktor në
jetën politike italiane dhe se vendimi për të mos dëgjuar asnjë ofertë,
e bëri lëvizjen qesharake në sytë e italianëve, çka u tregua me rënien
drastike të pësuar në këto zgjedhje vendore.
Në kundërpërgjigje,
Grillo deklaroi: “Senatorja Gambaro ka bërë akuza të rreme dhe të
dëmshme ndaj meje, çka ka dëmtuar Lëvizjen e Pesë Yjeve dhe mua, ndaj e
ftoj që të largohet nga radhët e partisë sa më shpejt që të jetë e
mundur”.
Top Channel