Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas
Një sasi prej 500 kilogramësh bimë narkotike kanabis sativa është sekuestruar, ndërsa janë prangosur dy persona dhe janë shpallur tre të tjerë në kërkim.
Operacioni policor “Sfida” ka finalizuar me sukses hetimin disamujor të strukturës së anti-drogës në Policinë e Durrësit, duke çuar në sekuestrimin e një furgoni me drogë në zonën e plazhit dhe arrestimin e dy personave të përfshirë në këtë trafik të paligjshëm narkotikësh.
Në orën 02.30 të së shtunës u arrestua shtetasi Gentian Malindi, 36 vjeç dhe banor i plazhit të Durrësit, si dhe Elvis Bardhi, 32 vjeç me banim në Elbasan.
Sasia e lëndës narkotike u gjet dhe sekuestrua në një furgon mallrash tip “Benz” me targë “AA 938 AE”. Bashkë me drogën dhe mjetin policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale edhe disa telefona celularë, si dhe një shumë parash.
Burimet policore sqaruan se sasia e kosniderueshme e lëndës narkotike vinte nga jugu i Shqipërisë, Lazarati dhe dyshohet se një pjesë e saj do të qëndronte për shpërndarje në tregun e brendshëm, tani në periudhën e sezonit turistik kur dhe numri i përdoruesve rritet, ndërsa pjesa tjetër do të trafikohej drejt Italisë.
Hetimet e mëtejshme për këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, që pritet të zbardhë destinacionin e saktë të lëndës narkotike, si dhe rrjetin e personave të përfshirë.
Top Channel