Gazi sarin u përdor në Siri

05/06/2013 00:10

Franca konfirmoi përdorimin e gazit sarin gjatë konfliktit në Siri. Sipas ministrit të Jashtëm, Laurent Fabius, testet laboratorike në Paris vërtetuan hamendësimet e deritanishme.

Shefi i diplomacisë franceze shtoi se, të gjithë ata që përdorin armë kimike duhen ndëshkuar, pa sqaruar gjithsesi se kur apo kush e ka përdorur substancën e rrezikshme.

Shtëpia e Bardhë vazhdon të këmbëngulë se nevojiten më tepër prova, përpara se të vendoset për ndërhyrje në Siri.

“Analizat tregojnë praninë e gazit sarin në kampionët e marra nga zona të ndryshme të Sirisë. Rezultatet e testeve i janë dorëzuar Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha Laurent Fabius, ministër i Jashtëm i Francës.

OKB-ja e pranoi më herët se ka arsye të besojë, që në Siri janë përdorur vërtet armë kimike.

Në një raport të ri të tijin, komisioni hetimor i Kombeve të Bashkuara për këtë vend i nxit gjithashtu fuqitë e huaja të mos shtojnë nivelin e armatimeve atje.

Testet u kryen, pasi gazetarët e së përditshmes franceze “Le Monde” arritën të nxjerrin kampionë gjaku nga Siria, pasi kishin dëshmuar atë që besojnë se ishte një sulm kimik, në muajin prill.

Gazi sarin, një agjent kimik tepër i fuqishëm, nuk ka ngjyrë dhe as erë. Përdorimi i tij ndalohet nga shumica e vendeve të botës.

Por, në Siri, për përdorimin e kësaj substance, që shkakton edhe vdekjen, janë akuzuar në të kaluarën si forcat qeveritare, ashtu edhe rebelët, që luftojnë kundër regjimit të Bashar al-Assadit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA