Arrestohet sërish Skënder Tufa dhe Petrit Lipo

05/06/2013 00:00

Ish-të përndjekurit politik Skëndër Tufa dhe Petrit Lipo janë vënë
sërish në prangat e policisë së kryeqytetit. Në një njoftim të policisë
thuhet se dy ish-të përndjekurit politik janë kapur me bomba molotov të
cilat më pas dyshohet se do t’i përdornin për t’i hedhur në grumbullime
me njerëz dhe sheshe publike.

“Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr.1 Tiranë, në sajë të marrjes në kohë të një informacioni  në lidhje me hedhjen e disa shisheve me lëndë plasëse të dyshuara bomba molotov të pregatitura në mënyrë artizanale, bënë të mundur kapjen në kushtet e flagrancë të autorëve të tyre duke neutralizuar dhe sekuestruar në kohë lëndët plasëse. Krahas sa më lartë u mor masa e arrestit të menjëhershëm në kushtet e flagrancës së shtetasve Skënder Tufa, 53 vjeç dhe Petrit Lipon 52 vjeç” thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë  në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy shishe me lëndë djegëse, të dyshuara  si ato të pregatitura për bomba molotov, të cilat ju kaluan për ekzaminime të mëtejshme strukturave përkatëse. Ndërkohë disa ditë më parë dy ish-të përndjekurit politik u ndaluan sërish nga policia pasi u gjetën para ambienteve të Kuvendit me dy shishe me benzinë.

Më herët Skënder Tufa ka denoncuar se po ndiqet dhe mbahet nën përgjim nga policia. Ndërkohë institucioni i Avokatit të Popullit i është drejtuar zyrtarisht Policisë së Tiranës për të mos përgjuar dhe përndjekur ish të përndjekurin Skënder Tufa., sa herë që ka aktivitet qeveria apo Kryeministri Sali Berisha.

Top Channel