
Bashkimi Europian shprehu shqetësimin për planet e Moskës për të detyruar të gjitha linjat ajrore nga vendet e Europës drejt aeroporteve të Rusisë që të transferojnë të dhënat e pasagjerëve.
Një masë e tillë shihet si një shkelje e privatësisë nga Brukseli, që kërkon më parë arritjen e një marrëveshjeje me palën ruse.
Marrëveshje të tilla Bashkimi Europian ka me Shtetet e Bashkuara dhe Australinë. Autoritetet e këtyre dy vendeve njihen me të dhënat personale të pasagjerëve që udhëtojnë nga BE, përfshirë këtu edhe numrin e kartave të kreditit dhe numrin e telefonit.
Bashkimi Europian i kërkon Rusisë që të mos vendosë në zbatim këtë masë më 1 korrik, ashtu sikundër ka paralajmëruar. Cështja pritet të diskutohet në bisedimet dy-palëshe mes BE-së dhe Rusisë ditën e martë në qytetin e Ekaterinburgut në lindje të Moskës.
Sipas rregullave të Bashkimit Europian, të dhënat personale të shtetasve brenda rezidentë të unionit nuk mund t’u dërgohen vendeve jo anëtare të BE-së, përvec rasteve kur ka një marrëveshje të qartë me vende të caktuara.
Zyrtarët në Bruksel deklarojnë se hyrja në fuqi e vendimit të Rusisë do të vendosë në një situatë të pakëndëshme kompanitë ajrore që nga njëra anë do të kenë presionin e BE-së për të ruajtur të dhënat personale të pasagjerëve, dhe nga ana tjetër presionin e Rusisë për të dorëzuar këto të dhëna.
Top Channel