Përmbytjet masive gjunjëzojnë Pragën

04/06/2013 00:00

Nivelet e lumenjve në Republikën Çeke janë rritur ndjeshëm gjatë natës, me autoritetet që janë detyruar të hapin dyert e digave të ndryshme në jug të vendit.

Në kryeqytetin e vendit, Pragë, po ngrihen barriera metalike për të penguar ujin e tepërt të lumit Vltava.

Në shtetin çek është shpallur gjendja e jashtëzakonshme në shkallë vendi, me nivelet e ujërave që pritet të rriten gjatë ditës së martë.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se rreth 3 mijë persona janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre në perëndim të vendit.

Ditën e hënë, lumi Vltava po lundronte me 2.800 metër kub për sekond, 10 herë më shumë se volumi normal i tij, duke depërtuar në qendrën historike të Pragës.

Në kuadër të masave të marra, sistemi i metrosë së qytetit dhe kanalet e ujërave të zeza u mbyllën, ndërkohë që barriera metalike dhe thasë me rërë u vendosën përgjatë brigjeve të Vltavës.

Përmbytjet e rënda të shkaktuara në ditët e fundit nga shirat e dendura kanë sjellë vdekjen e të paktën 7 personave në Republikën Çeke dhe dy në Austrinë fqinje.

Ndërkohë, Gjermania ka angazhuar ushtrinë për të ndihmuar në mbrojtjen e jugut të saj nga përmbytjet.

Në qytetin bavarez të Pasaut përmbytjet kanë arritur një nivel që nuk regjistrohej që prej shekullit të 16-të, duke bërë që të bllokohen të gjitha hyrjet në të.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA