OKB: Nivele të reja brutaliteti në Siri

04/06/2013 00:00

Në një raport të fundit të Kombeve të Bashkuara shprehet shqetësimi se brutaliteti në konfliktin sirian ka kapur nivele të tjera. Masakra të reja, rrethime dhe shkelje të të drejtave të fëmijëve.

Kombet e Bashkuara deklarojnë gjithashtu se kanë gjetur prova për përdorimin e mundshëm të armëve kimike nga të dyja palët e përfshira në konfliktin në Siri. Në raport thuhet se janë gjetur “baza të arsyeshme” se armët në fjalë janë përdorur të paktën katër herë në muajt maj dhe prill.

Megjithatë, komisioni hetimor i OKB-së nuk mund të sqarojë me saktësi se çfarë lloji agjentësh kimikë janë përdorur. Ai i ka bërë thirrje Damaskut zyrtar që të lejojë një grup ekspertësh të armëve kimike të vizitojë vendin.

Përdorimi i armëve kimike konsiderohet si një veprim shumë i rrezikshëm nga Perëndimi, si për popullsinë siriane ashtu edhe për sigurinë e SHBA dhe BE.

Çështja në fjalë kundërshtohet nga Rusia, e cila pretendon se Perëndimi po mundohet të gjejë një pretekst për të hyrë ushtarakisht në Siri, njësoj siç bëri me Irakun në vitin 2003.

Një ditë më parë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon paralajmëroi se të dyja palët ndërluftuese në Siri do të mbahen përgjegjëse për krimet e luftës që po ndodhin në vend.

Deklarata e Ki Moon u bë në kuadrin e një apeli adresuar presidentit Bashar al-Assad dhe kryengritësve, për të lejuar civilët që të evakuohen nga qyteti jugor i Kusairit, ku prej dy javësh po zhvillohet një betejë e ashpër dhe e përgjakshme për kontrollin e tij.

Gjatë betejës për Kusairin, anëtarët e ushtrisë së rregullt, të mbështetur nga trupat e Hezbollahut, janë akuzuar për goditjen me artileri të lagjeve të banuara nga civilë, pa u interesuar për fatin e të pafajshmëve të vendosur në zonat e luftimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA