
Korporata Elektroenergjetike deklaron se do nisë të shlyejë detyrimet e
prapambetura që ka ndaj prodhuesve të vegjël koncesionar.
Burime zyrtare nga KESH thanë se në total shuma e detyrimeve të papaguara që KESH ka ndaj hidrocentraleve të vogla arrin në 20 milionë dollarë dhe brenda këtij muaji do të shlyhet gjysma e tyre.
Gjendja financiare e KESH, është lehtësuar muajt e fundit për shkak të situatës së mirë hidroenergjetike. Në Fierzë niveli i ujit është në pikën maksimale 297 metra, cka po i mundëson KESH-it eksporte masive të energjisë.
Deri në fund të majit korporata ka eksportuar 29 milionë dollarë, ndërkohë që për ditët e para të qershorit ka kontraktuar shitjen edhe të 4 milionë dollarë të tjera energji jashtë vendit. Por veç eksporteve, financat e KESH janë lehtësuar edhe nga rikthimi i marrdhënieve normale me CEZ.
Kompania e shpërndarjes, pas rikthimit në administrim shtetëror, ka filluar të paguajë energjinë që merr nga KESH. Burimet zyrtare të KESH thonë se që nga muaji mars CEZ ka paguar 100 për qind të faturave mujore. Por edhe më këtë përmirësim të përkohshëm, KESH mbetet në një situatë të shthurur financiare. Kompania pretendon se CEZ duhet t’i paguajë asaj 340 milionë dollarë, borxh të prapambetur që është trashëguar kryesisht gjatë viteve që CEZ ishte në administrim privat. Nga ana tjetër vetë KESH ka qindra milionë dollarë kredi ndaj bankave private apo të zhvillimit, por edhe administratës tatimore dhe prodhuesve të vegjël. Një zinxhir i ngatërruar borxhesh, që do kërkonte shumë më tepër se sa thjesht një vit të mirë energjetik.
Top Channel