Ligji për ndalimin e duhanpirjes dhe publicitetet në disa ambiente publike pritet të hyjë në fuqi gjatë ditës së shtunë në Rusi.
Duhanpirja do të ndalohet në vendet e punës, në hyrjet e blloqeve të banimit, në autobusë dhe trenat e udhëtarëve, madje edhe në një distancë prej 15 metrash nga stacionet e trenave dhe aeroporteve.
Në 2014-n, ndalimi i tij do të zgjerohet me përfshirjen e restoranteve, bareve, anijeve dhe trenave. Rusia ka një nga përqindjet më të larta në botë të duhanpirjes, me rreth 40% të popullsisë duhanpirëse.
Ligji anti-duhan u nënshkrua nga presidenti, Vladimir Putin, në shkurt, si pjesë e planit të tij për të përmirësuar shëndetin publik, të rrisë jetëgjatësinë dhe të promovojë rritjen ekonomike.
Kryeministri, Dmitry Medvedev, tha se rreth 400 mijë rusë kanë vdekur nga sëmundjet e shkaktuara nga duhanpirja, gjatë vitit të fundit. Ndërkohë që ekspertët thonë se ligji nuk është diçka e re në Rusi, ata theksojnë se e rëndësishme është se si do të aplikohet ai.
“Ky ligj është i shkëlqyer, ai është në përputhje me kuadrin e konventës”, tha Nikolai Gerasimenko, një ish-zyrtar i shëndetësisë. “Por, më e rëndësishme për momentin është se si do të zbatohet ai”.
Ligji do të kufizojë gjithashtu shitjen e cigareve, si dhe do të ndalojë publicitetin apo sponsorizimin e eventeve të ndryshme nga kompanitë e ndryshme të duhanit. Ai thotë se në Rusi mund të blesh paketa cigaresh për më pak se 1 dollar (60 rubla).
Nga 1 qershori 2014, të gjitha kafenetë, baret, restorantet, hotelet, dyqanet, marketet, qendrat e shopping-ut, si dhe udhëtimet në distanca të largëta me anije apo trena do të çlirohen nga duhanpirja.
Shitja e paketave do të ndalohet gjithashtu nëpër kioskat e rrugëve, si dhe do të vendoset një çmim “dysheme” për cigaret.
Top Channel