Kolumbi, akuzat e Maduros janë “të çmendura”

01/06/2013 02:00

Presidenti kolumbian, Juan Manuel Santos, ka hedhur poshtë, madje i ka quajtur si “të çmendura”, akuzat se qeveria e tij është duke u përpjekur të destabilizojë fqinjët e Venezuelës.

Ai tha se debati i fundit, i cili nisi gjatë kësaj jave, ishte për shkak të një keqkuptimi. Presidenti venezuelian, Nicolas Maduro, akuzoi Santos-in se kishte “tradhëtuar” vendin e tij, duke takuar liderin opozitar, Henrique Capriles, ditën e enjte.

Capriles humbi zgjedhjet presidenciale në Venezuelë në prill, por akuzoi se procesi i votimit ishte manipuluar.

Duke folur nga një rajon jug-perëndimor i Kolumbisë, Santos tha: “Është çmenduri të mendosh se qeveria kolumbiane është e vetëdijshme, apo akoma më keq po mbështet, një veprim për të destabilizuar qeverinë venezueliane”.

Ai iu kundërpërgjigj komenteve të bëra nga Maduro, i cili tha të enjten se kishte informacione, që provonin se qeveria kolumbiane donte ta rrëzonte atë nga pushteti. Por, Santos e konsideroi atë thjesht një “keqkuptim”, që duhej të zgjidhej në rrugë diplomatike.

Kjo ngjarje është e fundit përgjatë viteve të tensionuara mes dy fqinjëve, për shkak të diferencave të thella ideologjike.

Capriles vizitoi Kolumbinë, si pjesë e një turi në vendet e Amerikës Latine, për të ushtruar presion mbi faktin që, sipas tij, presidenti venezuelian kishte manipuluar zgjedhjet e muajit të kaluar.

Lideri i opozitës venezueliane u mposht me një marzh përqindjeje prej 1,49 pikë, sipas shifrave zyrtare të publikuara nga Këshilli Zgjedhor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA