Një prej klerikëve me më shumë ndikim midis muslimanëve sunitë në Lindjen e Mesme, Sheikh Yusuf al-Qaradwëi, i bëri thirrje që të gjithë besimtarëve që të bashkohen me kryengritësit, në “luftën e shenjtë” kundër Bashar al-Assadit në Siri.
Al-Qaradawi, një nga teoricienët më të mëdhenj të islamit, shtetas egjiptian me banim në Katar, deklaroi gjatë një manifestimi se është detyrë e “sunitëve për të mbështetur të gjithë popullin sirian”.
Sipas klerikut, mbështetja që po i jep Irani dhe grupi shiit libanez i Hezbollahut regjimit të Damaskut, ka si synim shfarrosjen e sa më shumë sunitëve.
Deklaratat e Al-Qaradawit erdhën ndërsa vazhdon e ashpër beteja për qytetin jugor të Qusairit, ku forcat qeveritare siriane po mbështeten edhe tek militantët e Hezbollahut, organizatë e konsideruar terroriste nga SHBA dhe aleatët e tjerë perëndimorë.
Lufta civile në Siri, e nisur 27 muaj më parë, i ka kushtuar jetën të paktën 80 mijë sirianëve, me dhjetëra mijëra të tjerë të zhdukur e mbi dy milionë, të shpërngulur si refugjatë lufte në vendet fqinje.
Presidenti i vendit, Bashar al-Assad, i përket një pakice shiite të alauizmit, nga e cila ka dalë pothuajse e gjithë klasa politike që drejton Sirinë, pavarësisht faktit se vendi banohet nga një shumicë dërrmuese sunite.
Top Channel