Rritet numri i viktimave të gripit të ri H7N9 në Kinë. Sipas autoriteteve lokale, një person në Shangai ka vdekur duke e çuar në 38 numrin e viktimave.
Deri më sot Shangai është qyteti më i goditur nga virusi, me 33 raste infeksione të konfirmuara, 15 prej të cilave kanë përfunduar me vdekje, ndërsa të tjerat nga shtrime në spitale.
Shumica e këtyre të fundit kanë lënë dhomat e kujdesit shëndetësor dhe vetëm tre janë ende të shtruar, bëjnë me dije autoritetet. Në të gjithë vendin janë 131 rastet e infektimit me H7N9.
Rënia e variantit të ri të gripit të shpendëve në Kinë përbën një kërcënim serioz për shëndetin e njeriut. Gjithësesi, virusi H7N9 nuk ka qenë ende në gjendje të përhapej mes njerëzve, gjë që kufizon kërcënimin e tij global.
Kërcënimi duhet të trajtohet me qetësi, por seriozisht, kanë paralajmëruar studiuesit, të cilët janë të shqetësuar për ritmin e përhapjes së virusit dhe efektin e tij. Kjo, pasi ka pasur një numër të lartë infektimesh që nga konstatimi i rastit të parë në muajin prill.
Profesor John McCauley, drejtor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thotë: “Është e vështirë të verifikosh shifrat”. Infeksioni nga virusi shkakton probleme serioze pneumonike, helmim të gjakut dhe madje ndalon organet së funksionuari.
“OBSH e konsideron virusin një kërcënim serioz, por në këtë fazë ne ende nuk e dimë nëse do të përcillet nga njeriu tek njeriu”, ka shtuar profesor McCuley.
Top Channel