Kinë, “foshnja e tubacioneve” lë spitalin

30/05/2013 00:00

Foshnja kineze që u shpëtua pak ditë më parë pasi u hodh nga e ëma në
tubacionet e ujërave të zeza ka dalë nga spitali. Bebja ishte shtruar në
spitalin e qytetin Xhinhua që prej ditës së martë.

Nëna 22-vjeçare, emri i të cilës nuk është bërë publik, deklaroi se bebja i kishte rënë nga duart në tualet dhe kishte rëshqitur përgjatë tubit aksidentalisht.

Mediat kineze njoftojnë se fëmija është dërguar tek një e afërme, por pa saktësuar se tek kush. Sipas burimeve, babai i bebes kishte dalë i gatshëm për ta marrë, por për të ishin paraqitur edhe familjarë të tjerë.

Ndërkohë, pavarësisht deklaratave se ngjarja mund të kishte qenë një aksident, hetimet po vazhdojnë.

Nëna e bebes deklaroi fillimisht se bebja nuk ishte fëmija e saj, por një zyrtar saktësoi për agjencinë “Associated Press” se ajo e kishte thënë këtë nga frika.

Ndërsa agjencia “Zhezhong” raportoi se gruaja i tha policisë se nuk mund ta përballonte abortin, se nuk ishte e martuar dhe mendonte se nuk mund të kujdesej dot për fëmijën, duke mbajtur shtatzëninë sekret.

Fëmija është koduar me emrin “Bebja nr. 59” në bazë të numrit që iu vendos në spital. Ajo ka pësuar rrjepje të lëkurës në kokë dhe në gjymtyrë pasi u hodh në tubin me diametër 10 centimetra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA