Në një debat në Bruksel, me kryeministrin serb Ivica Daçiç, eurodeputetët e Komisionit të Jashtëm parlamentar theksuan rëndësinë e zbatimit pa pengesa, të udhërrëfyesit të 22 majit, për marrëveshjen e 19 prillit mes Kosovës dhe Serbisë.

Një gjë të tillë e premtoi edhe vetë kryeministri serb, Ivica Daçiç. “Hapi i radhës, për të përfituar datën e çeljes së negociatave të anëtarësimit në BE, është zbatimi i marrëveshjes sonë me Prishtinën. Për këtë nuk ka asnjë dyshim”, deklaroi Daçiç.

“Është një ndryshim historik për Serbinë dhe për ankorimin e saj në Bashkimin Europian. Sigurisht që, është një detyrë e vështirë dhe gjigante, por ju na treguat se jeni të vendosur dhe se po e vijoni atë rrugë”, tha më pas Eduard Kukan, kryetar i delegacionit të PE-së për Ballkanin.

Daçiç përsëriti nga ana e tij, se Serbia nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, por – sipas tij – ajo është e ndërgjegjshme për realitetin në terren. Ai premtoi në Parlamentin Europian se marrëveshja e 19 prillit nuk do të çojë drejt krijimit në Kosovë të një republike serbe të dytë, si ajo në Bosnje.

Disa prej temave, që u debatuan, përfshinë reformën në gjyqësor, luftën kundër krimit dhe korrupsionit në Serbi, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe marrëdhëniet me fqinjët dhe me Rusinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA