Mos zbatimi në praktikë i ligjeve për të drejtat e punonjësve, i marrëveshjes kolektive, i marrëveshjes për pagën minimale prej 220 euro dhe mos miratimi i ligjit për pensionistët ishin vetëm disa nga arsyet që nxorrë të mërkurën në protestë punëtorët në Prishtinë.
Protesta u organizua nga Sindikatat e Punonjësve të Kosovës. “Kam mbetur pa bukë, edhe sa do vazhdojmë kështu!”, u shpreh i irrituar një prej punëtorëve.
“Turpi i Zotit! Deputetët për një ditë marrin 200 euro, ndërsa pensionistët jetojnë me ndihmë sociale”, tha një tjetër.
“E duam ligjin për pensionistët, qoftë edhe një euro nëse më shtohet do të jem i kënaqur. Unë thjesht dua ligjin”, u ankua më tej një tjetër.
“Zgjohuni, inspektorë të punës”, “Duam ligje të dinjitetshme” dhe ”Privatizimi i egër na la pa punë”, ishin vetëm disa nga thirrjet e protestuesve.
“Të gjitha kërkesat e dialoguara mbetën në sirtarët e qeverisë. Kërkesat tona i kemi bërë publike dhe kanë mundësi të realizohen sepse ne si BSPK nuk kemi kërkuar diçka që nuk mund të realizohet”, deklaroi Haxhi Arifi, kryetar i BSPK-së.
Për më tepër, në protestë u kërkua edhe pranimi i stazhit të punës për vitet 1990-1999, krijimin e fondit social për punëtorët që privatizimi i la papunë e te tjera kërkesa.
Top Channel