Siria, Rusia: Do vijojmë furnizimin me armë

28/05/2013 00:00

Rusia ka njoftuar se do të vazhdojë të furnizojë me raketa anti-ajrore
S-300 Sirinë, armë që sipas saj do të shërbejnë për të frenuar ndonjë
ndërhyrje të huaj.

“Raketat janë një faktor stabilizues që mund të bindin ndonjë tip gjaknxehtë që të mos hyjë në konflikt”, ka deklaruar zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov.

Numri dy i diplomacisë ruse ka saktësuar se kontratat për raketat S-300 janë nënshkruar shumë vite më parë dhe tani po zbatohen.

Gjithashtu, pala ruse nuk e ka gëlltitur dot vendimin e Bashkimit Evorpian për të hequr embargon e armëve ndaj rebelëve sirianë, pas rritjes së masakrave në radhët e civilëve.

“Fundi i embargos së armëve të BE ndaj Sirisë dëmton prespektivat e konferencës së paqes”, ka deklaruar qeveria e Moskës përmes një njoftimi për shtyp.

Ndërkohë, i dërguari rus në NATO, Aleksandr Grushko ka thënë se Moska po vepron tërësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

“Ne nuk po bëjmë asgjë që të ndikojë në ndryshimin e situatës në Siri. Armët që po furnizojmë ne janë armë mbrojtëse”, ka thënë Grushko.

Korrespondenti i BBC në Beirut, Jim Muir thotë se deklarata e palës ruse për vazhdimin e furnizimit me armë mund të shihet si një përshkallëzim i situatës.

Rusia ka bllokuar vazhdimisht përpjekjet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të shtuar presionet mbi presidentin sirian Bashar al Assad.

Bashkë me Shtetet e Bashkuara, ajo ka udhëhequr përpjekjet për të organizuar një konferencë ndërkombëtare për paqen në Siri muajin e ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA