Një zjarr ka rënë në një anije turistike në Karaibe, duke detyruar mbi 2200 pasagjerë të saj të ndërpresin para kohe udhëtimin e tyre.
Anija kishte lënë portin e Baltimorës të premten dhe ishte drejtuar për në Koko Kej të Bahamasit kur zjarri ra papritur, ka raportuar kompania menaxhuese.
Pasagjerëve iu kërkua të mblidheshin në pika të caktuara të mjetit lundrues derisa zjarri u fik. Për fat të mirë mes tyre nuk ka pasur lëndime serioze.
2224 pasagjerët dhe 796 anëtarët e ekuipazhit janë të gjithë të sigurtë, ka njoftuar roja bregdetare në ujërat e Karaibeve.
Një udhëtar tha për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se ai dhe e fejuara e tij kishin ndjerë erën e të djegurit teksa ndodheshin në pikën e grumbullimit, kazinoja e anijes.
“Ekuipazhi dha menjëherë udhëzimet e duhura, të cilat sollën qetësimin e pasagjerëve”, bëri të ditur Mark J Ormesher, një britanik që jeton në Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, në momentet e zjarrit ajri i kondicionuar u fik dhe teksa temperatura brenda anijes u rrit, pasagjerëve iu dha ujë të ftohtë me shishe.
Anija 17-vjeçare nuk e humbi kurrë fuqinë dhe ishte në gjendje të lundronte deri në portin e Friportit, në Bahamas. Aktualisht po përdoren avionë të vegjël për të kthyer turistët në pikën e nisjes në Baltimore.
Top Channel