Australi-Kinë, luftë kibernetike?

28/05/2013 00:00

Televizioni australian ABC denoncoi të hënën në një nga programet e tij sulmin kibernetik që sipas tij hakersa kinezë po kryejnë në dëm të Australisë.

Sipas televizionit, hakersat kanë vjedhur planet për zyrat e reja të shërbimeve sekrete australiane. Por ministri i Jashtëm australian, Bob Carr deklaroi se lajmi në fjalë nuk do të ndikojë në marrëdhëniet me Pekinin.

“Kemi një sërë fushash bashkëpunimi me Kinën”, nënvizoi kryediplomati, i cili refuzoi të bënte komente të mëtejshme, ndonëse tha se qeveria australiane është shumë e ndjeshme ndaj kërcënimeve kibernetike.

“Nuk do të komentoj çështjet e inteligjencës dhe sigurisë për të vetmen arsye se ne nuk duam të ndajmë me të gjithë botën dhe agresorët e mundshëm atë që dimë mbi atë që ata mund të jenë duke bërë”, deklaroi Carr.

Televizioni ABC raportoi në programin e tij “Four Corners” se planimetritë e selisë së re qendrore të shërbimeve sekrete, që do të përfundonin vitin e kaluar por u shtynë, ishin vjedhur nga hakersa, gjurmët e të cilëve të çonin në Kinë.

Planimetritë përmbanin detaje mbi sistemet e komunikimit kabllor dhe vendndodhjet e serverave, katet e ndërtesës dhe sistemet e sigurisë, etj.

Televizioni citoi profesorin Des Bell, ekspert i kriminalitetit kibernetik në Australian National University, të thoshte se detaje të tilla do t’i mundësonin palëve të jashtme të identifikonin dhomat e përdorura për aktivitete të rëndësishme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA