Kili dhe Argjentina kanë nisur evakuimet e mbi 3 mijë personave, që jetojnë pranë vullkanit Copahue, në jug të kufirit të tyre.
Autoritetet në të dy vendet kanë lëshuar alarmin e kuq, më i larti i mundshëm, duke paralajmëruar se vullkani mund të shpërthejë nga momenti në moment dhe të kërcënojë ndjeshëm.
Vullkani në lartësinë prej 2965 metrash, i cili shtrihet në vargmalet e Andeve, deri më tani ka liruar vetëm gazra. Me mijëra lëkundje të vogla toke janë regjistruar në zonë.
“Ky alarm i kuq është lëshuar pasi është monitoruar aktiviteti i vullkanit dhe është parë rritja e aktivitetit sizmik”, tha ministri i Brendshëm kilian, Andres Chadwick, në një konferencë për shtyp. “Ekziston rreziku, që ai të shpërthejë”.
Sipas zyrës kiliane të Emergjencave, evakuimi mund të prekë rreth 460 familje, që jetojnë në një rreze prej 25 km nga Copahue. Sipas saj, evakuimi mund të zgjasë gati 48 orë, por edhe mund të vonohet për shkak të rreshjeve të dendura të shiut në rajon.
Në Argjentinë, autoritetet deklaruan fillimisht “alarmin e verdhë”, por më pas e rritën atë në maksimum. Ata kanë urdhëruar evakuimin e gati 600 personave nga qyteti Caviahue deri në atë fqinj, Loncopue.
Dhjetorin e kaluar, Kili lëshoi sërish alarmin e kuq pasi Copahue, një nga vullkanët më aktivë në rajon, nisi të lironte gaz dhe hi, teksa tymrat u ngjitën deri në 1,5 km në lartësi.
Rezidentët lokalë u evakuuan përkohësisht, ndërsa aeroplanët që udhëtonin në jug të Andeve u paralajmëruan të shmangnin zonën. Qindra fluturime u anuluan vitin e kaluar, për shkak të shpërthimit të një tjetër vullkani në Kilin jugor.
Shpërthimi i Puyehue shkaktoi dëme të mëdha ekonomike, jo vetëm ndaj pronarëve të zonës, por edhe ndaj turizmit në disa rezorte.
Top Channel