Mijëra ish-pjesëtarë të UÇK-së, veteranë të luftës, përfaqësues të institucioneve dhe partive politike dhe qytetarë, protestuan kundër arrestimeve të grupit të komandatëve të UÇK-së, të cilët dyshohen për krime lufte nga misioni EULEX.
Ata kërcënuan me protesta radikale. Gjatë protestës foli edhe veprimtari Adem Demaçi, i cili kërkoi nga misioni EULEX që të zbardhë fatin të zhdukurve në vend që të merret me ish-ushtarët e UÇK-së.
Nga misioni i Bashkimit Europian u kërkua hetim dhe gjykim ndaj ushtrisë serbe, e cila ka ushtruar dhunë e genocid ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
“Ne e kemi thirrur EULEX-in që të zbardhë krimet e serbëve, të zbardhë kush e zhduku Ukshin Hotin, kush vrau mijëra shqiptarë”, ka thënë Demaçi para protestuesve.
Ndërsa, Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, tha se protesta nuk është kundër faktorit ndërkombëtar dhe miqve ndërkombëtarë, por kundër misionit EULEX që po mundohet ta njollosë luftën e UÇK-së.
“E ftojmë Jahjagën, Krasniqin e Thaçin që ta shqyrtojnë mandatin e EULEX-it menjëherë. Nëse situata destabilizohet, përgjegjësinë do ta marrë EULEX-i dhe institucionet e Kosovës”, ka thënë Jashari.
Të dyshuarit nga grupi i komandatëve të Drenicës po mbahen në arrest shtëpie prej 30 ditësh, masë kjo e ankimuar nga pala mbrojtëse.
Krasniqi: EULEX s’është neutral
“Po bën të duket sikur fajtor për luftën janë shqiptarët”
Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, duke komentuar hetimet për krime lufte që po zhvillohen ndaj ish-pjestarëve të UÇK-së nga EULEX-i, ka thënë se ky mision po tregohet se nuk është neutral.
Madje, sipas tij, veprimet e EULEX-it sikur duan të thonë se shkaktarë për luftën në Kosovë kanë qenë shqiptarët.
“Me këto veprime EULEX-i është duke treguar se nuk është neutral dhe veprimet e tij duken sikur duan të thonë se shkaktari kryesor dhe përgjegjësinë kryesore për luftën në Kosovë e kanë shqiptarët, sikur shqiptarët kanë bërë argesion në Shumadi e jo politika e Beogradit në Kosovë”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndërkaq, kryetari i grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se është absurde të mendohet se shqiptarët kanë bërë krime, ndërsa ka shprehur besimin se drejtësia do ta dëshmojë pastërtinë e luftës së UÇK-së.
Këto komente, Krasniqi dhe Grabovci i bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u bë e ditur se deri më tani nuk ka ndonjë kërkesë për t’u debatuar në Kuvend për mandatin e EULEX-it.
Top Channel