Policia e Tiranës nuk do të lejojë që të përsëritet terrori për herë të
tretë në familjen Kajmaku në Prezë, në periferi të Tiranës. Një patrullë
policie do të qëndrojë 24 orë pranë banesës së Lavdi Kajmakut, kreu i
PS-së së Prezës, familja e të cilit ndodhet nën terror prej disa ditësh,
pasi i është djegur banesa, biznesi dhe automjetet.
Megjithëse dëmi shkon përtej 200 mijë eurove, Lavdi Kajmaku pohon se primare për të është siguria e jetës së familjarëve, ndaj të cilëve është lëshuar edhe një breshëri kallashnikovi. Fatmirësisht, asnjë nga plumbat nuk ka prekur anëtarët e kësaj familjeje, ndërsa një grup hetimor është ngritur prej disa ditësh në Policinë e Tiranës. Këta të fundit, krahas pistës politike, pohojnë se nga hetimi nuk përjashtohet asnjë pistë tjetër, madje edhe konfliktet personale të kreut të PS-së së Prezës. Por, për hetuesit, pretendimet e tij janë vetëm një pistë, ndërsa për të tjerat, duhet t’u lihet rrugë e lirë organeve të drejtësisë.
Ruajtja e banesës
Pas denoncimit dhe marrjes për herë të dytë në pyetje të Lavdi Kajmakut, i cili ka pretenduar se është sulmuar për shkak të bindjeve të tija politike, policia ka vendosur që të ruajë banesën dhe biznesin e kësaj familjeje. Dy sulmet, ai i datës 23 dhe 25 majit, ende nuk janë zbardhur, aq më pak të jenë gjetur edhe autorët. E vetmja zgjidhje e thjeshtë për policinë, është të vërë dy punonjës policie pranë banesës, për të parandaluar të paktën ngjarjen e tretë. “Më kanë vendosur një patrullë policie pranë banesës. Të paktën jam i qetë për sigurinë e familjes. U qëndroj deklarimeve të mia të mëparshme, si mediatike, ashtu edhe atyre pranë organeve të rendit: sulmi ndaj meje është politik”, tha Lavdi Kajmaku, në një prononcim për gazetën “Shqip”. Pas vendosjes së patrullës policore, ai po pushonte, pas netëve të gjata nën terror. “Po bëj dy net pa vënë gjumë. Jam i shqetësuar për familjarët e mi, të cilët janë qëlluar me breshëri armësh”, vijoi Kajmaku, duke kërkuar me ngulm që të zbardhet ngjarja dhe autorët të vihen para drejtësisë. Familja e konsideron këtë ngjarje “akt terrorist”, duke qenë se banesa, biznesi dhe automjetet janë sulmuar me bomba molotov, madje, babai i tij, në orët e para të datës 25 maj, është sulmuar me armë zjarri. Fatmirësisht, nga breshëria e armëve nuk ka pasur të lënduar.
Sulmet ndaj Kajmakut
Policia ka regjistruar dy kallëzime penale për sulme ndaj familjes Kajmaku, respektivisht në datën 23 dhe 25 maj. Të dyja ngjarjet kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit, ku nuk ka pasur shumë lëvizje në zonë. Për ngjarjen e datës 25, familja pretendon se janë djegur dy automjete, me targa AA 025 CZ dhe TR 9696 R. Pas kësaj, autorët e krimit kanë tentuar për herë të dytë që të djegin shtëpinë me benzinë. Madje, pas kësaj ngjarjeje, Lavdim Kajmaku është shprehur mjaft i indinjuar ndaj veprimeve të policisë, ku sipas tij, ka lejuar që sulmi të përsëritet sërish, duke marrë përmasa edhe më të mëdha. Ai hodhi dyshime se autori i sulmeve është kreu aktual i Komunës së Prezës, Ahmet Halili. Ky i fundit dyshon që Kajmaku i ka dhënë informacione një gazete, në lidhje me problemet ligjore që kreu i komunës ka pasur në SHBA, kohë më parë. Në sajë të këtij dyshimi, ai thotë se kundërshtari i tij politik po hakmerret në mënyrën me ekstreme.
Ndërkohë, sulmi i datës 23 maj ishte i frikshëm, si pasojë e një zjarri të madh që rrezikoi seriozisht jetën e disa personave që ishin në gjumë. Rreth 8 vatra zjarri dyshohet se janë vënë qëllimisht në biznesin e kreut të PS-së së Prezës, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare. Në momentin e shpërthimit të zjarrit, në banesë kanë qenë bashkëshortja dhe fëmijët e tij, të cilët kanë shpëtuar për mrekulli. Si pasojë e zjarrvënës së qëllimshme, janë shkaktuar mjaft dëme materiale, si djegia e fasadës së zyrave të biznesit, banesës, si dhe gjysma e fidanishtes. Përveç tyre është djegur edhe një kamion me targë AA 513 GF.
Top Channel