Ditë pas vrasjes makabre në mes të rrugoës të ushtarit Drummer Lee Rigby, në rrugët dhe lagjet e Londrës vazhdon të jetë situata e tensionuar.
Tensionet janë rritur pas reagimeve ekstreme të “Ligës së Mbrojtjes së Anglisë”, një grup i ekstremit të djathtë që bën thirrje për largimin nga ishulli i të gjithë emigrantëve, por edhe për hakmarrje për vrasjen e ushtarit.
Natën mes së dielës dhe të hënës dy memoriale lufte janë përdhosur në kryeqytetin britanik, ndërsa një bombë shpërtheu në derën e Qendrës Kulturore Islamike në Grimsbi. Mbi memoriale u shkruajtën parrulla në mbështetje të islamit, ndërsa shpërthimi në qendrën e Grimsbit fatmirësisht shkaktoi vetëm dëme materiale.
Policia britanike njoftoi nisjen e hetimeve, ndërsa dyshohet se shkrimet përdhosesë në memoriale mund të jenë vepër e ekstremistëve anglezë të së djathtës, si strategji për të nxitur tensione në vend.
Ndërkohë, një 28-vjecar, anëtar i Ligës për Mbrojtjen e Anglisë, rrezikon dënimin me burg pas thirrjeve në internet për djegien e një xhamie. 28-vjecari bëri thirrje anëtarëve të tjerë të grupit ekstremist “nevojën për të djegur një xhami”, pas vrasjes së ushtarit.
Ai doli para një gjykate në Londër dhe gjyqtari i cështjes tha se deklaratat e tij të bëra në rrethana të caktuara mund të përshkallëzonin dhunën dhe nxisin urrejtje, ndaj nuk përjashtohet as dënimi me burg.
Grupet e ekstremit të djathtë kanë bërë thirrje për grumbullimin në Eseks, një lagje ku banon një komunitet i konsiderueshëm emigrantësh muslimanë. Tubimi nuk u lejua nga policia britanike, që arrestoi 19 persona, mes tyre disa udhëheqës të grupit ekstremist.
Top Channel