Qeveria e Kosovës, e cila ditë më parë mori vendimin për planin e zbatimin të marrëveshjes së arritur me Serbinë në Bruksel, ende nuk e ka njoftuar zyrtarisht Kuvendin e Kosovës mbi përmbajtjen e tij.
“Çështjet janë të përcaktuara me ligj ku çdo marrëveshje e karakterit ndërshtetëror dhe ndërkombëtar e miraton Kuvendi, marrëveshjet tjera nuk miratohen. Ne nuk e kemi marrë dokumentin zyrtar mbi bazën e të cilit do të mund të japin qëndrimin dhe mendimet tona”, ka deklaruar kryetari Jakup Krasniqi.
Ndërkohë, kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka deklaruar se përmes marrëveshjes së 19 prillit garantohet tërësia territoriale e Kosovës.
“Ne kemi arritur të garantojmë tërësinë territoriale, kufijtë e Kosovës dhe paprekshmërinë e tyre. Të gjithë kanë ardhur në përfundimin se veriu është i humbur. Dhe ne atëherë u patëm thënë dhe tani e përsërisim se kurrë veriu dhe asnjë pëllëmbë e tokës së Kosovës nuk do të lejojmë që të humbë. Ajo është e jona dhe për këtë janë derdhur lum gjaku, djersë, mund e sakrifica”, ka thënë Grabovci.
Kurse në lëvizjen Vetëvendosje, që marrëveshjen me Serbinë e konsiderojnë të dëmshme për Kosovën, deklarojnë se çdo vendim i qeverisë duhet të diskutohet në Kuvend.
“Kjo është krejt e kundërta e asaj që në fillim na kanë thënë qeveritarët tanë. Në fillim ata patën thënë se proçesi do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia. Por, tani po na thonë që ne duhet të ndryshojmë Kushtetutën dhe ligjet në mënyrë që t’i përshtatemi Serbisë, përderisa Serbia nuk po e ndryshon Kushtetutën e vet. Ju e dini që ajo që është e padrejtë në këtë rast nuk është Kushtetuta e Kosovës, por Kushtetuta e Serbisë e cila Kosovën e përmban si pjesë të saj”, ka thënë Glaug Konjufca nga VV.
Këto komente u bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që të premten të mbahet një debat parlamentar për Luginën e Preshevës, me kërkesë të deputetit të LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ka bërë të ditur për Top Channel se në fund të debatit do të hidhet për votim edhe një rezolutë.
“Të gjitha ato të drejta që pakicat nacionale në Kosovë i gëzojnë, institucionet e Kosovës duhet të bëjnë përpjekje që të implementojnë apo detyrojnë shtetet e tjera t’i realizojnë në këtë fazë, që edhe më tutje e quaj tranzicion deri në një normalizim të plotë të marrëdhënieve ku besoj shumë që gjërat dhe çështjet do të ndryshojnë për të mirë”, ka deklaruar Haziri.
Sipas Hazirit, Kosova ka të drejtë të kërkojë reciprocitet për të drejtat e shqiptarëve të asaj pjese, pasi edhe komunitetet në Kosovë gëzojnë të drejta.
Top Channel